Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, i ka ftuar vushtrriasit që nëse duan ndryshim në këtë qytet ta votojnë konceptin e Nismës.
Limaj tha se kryetari i deritanishëm, Bajram Mulaku, është lodhur dhe ka hequr dorë ga rikandidimi. Por, sipas liderit të Nismës, i cili ka qenë një nga themeluesit e PDK-së dikur, e lodhur është partia e Mulakut – PDK.
“Ne besojmë fort se ndryshimi në Vushtrri vjen nëse vjen koncepti ynë politik. Kosova ka nevojë për ndryshim e lëre më Vushtrria. Bajram Mulaku e ka parë që është lodhur, por në fakt nuk është lodhur Bajrami; është lodhur partia që e ka pru në pushtet. Ata kanë nevojë me shku në shpi”.
“Bajrami ka shku vullnetarisht, e më 22 tetor është mirë që ju ta qoni atë parti në shtëpi”, tha Limaj, në tubimin e mbajtur sonte në Vushtrri, raporton Ekonomia Online.
Limaj ka paralajmëruar se Kosovën e presin disa probleme. “Në këtë situatë, kur vendi ka me u ballafaqu me shumë telashe, ne besojmë se na duhet unitet e afrim i njerëzve që e duan vendin e tyre”.
Limaj në Vushtri foli edhe për masat fiskale që janë marrë nga Qeveria për heqjen e tatimit doganor dhe akcizës. Ai tha se të gjitha këto masa janë marrë me qëllim që të përkrahen prodhuesit vendës.
E kandidati për kryetar të Vushtrrisë nga Nisma, Avdullah Vojvoda, tha se gjatë mandatit të tij do të fokusohet në zhvillimin ekonomik të qytetit dhe nxitjen e ndërmarrësve të rinj.
“Nisma për Kosovën do të krijojë parakushte për mirëqenie ekonomike, barazi sociale. Nisma përkrah dhe promovon barazinë fetare e gjinore. Zhvillimi ekonomik lokal do të bëhet duke pasur në qendër të vëmendjes qytetarin. Ky objektiv është e mbështetur në posedimin e resurseve natyrore dhe humane”.
Sipas tij, Nisma e konsideron si kulmin e zhvillimit të një shoqërie përkrahjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, “sepse ato janë gjenerator i zhvillimit ekonomik”.