Limaj: U vërtetua se s’kam keqpërdorur asnjë cent, më prekën në nderë

Prishtinë | 24 Nën 2017 | 17:50 | Nga Donika Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Lideri i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, tha se pas më shumë se 7 vitesh u vërtetua se asnjë cent nuk është keqpërdorur nga ai, apo familja e tij, raporton Ekonomia Online.

Limaj ka dalë në një konferencë për medie, pas shpalljes së vendimit të Gjykatës Themelore, për të liruar nga aktakuza në “Rastin MTPT”.

“Historikisht shqiptarët janë mësuar të marrin lajme të mira në nëntor. Sonte pas persekutimit të pashembullt për rreth 3 000 ditë, i orkestruar nga individë të cilët në pamundësi që të ballafaqohen me argumentet politike, me dije për t’i shërbyer vendit, dhe individë që janë mësuar të bëjnë karriera në kurriz të njerëzve…Në fund ja ku jemi sonte dhe me kënaqësi dal para qytetarëve për të rikonfirmuar atë që e kam thënë që nga dita e parë me 28 prill 2010: se unë me familje, bashkëpunëtorët e mi, me krejt qenien  i kemi shërbyer me dashuri të madhe pakompromis vendit tonë. Dhe as sot, as kurrë, askush nuk do të mund të gjejë asnjë cent të keqpërdorur nga unë familja ime dhe bashkëpunëtorët”.

“Në atë kohë zëri im ishte i vogël dhe nuk dëgjohej, ata tentuan që pasionin tim për të ndërtuar vendin u munduan që aty ku njerëzit nuk preken, prekën në ndershmërinë time dhe dashurinë për vendin”, tha Limaj, në një fjalim emocional.

Limaj tha se nuk është dorëzuar asnjëherë duke i shërbyer me devotshmëri çdo qytetari të Kosovës.

“Unë nuk u dorëzova dhe qëndrova me kokë lart, duke qenë i bindur se me devotshmëri i kam shërbyer çdo qytetari të Republikës. Duke besuar në Zot dhe drejtësi nga ai moment ia parashtrova vetes një detyrë, që ishte detyra ime para prindërve të mi që s’janë gjallë, para gruas sime që edhe ajo nuk është gjallë, u munduan të më njollosin edhe para tyre. Unë thashë që do të qëndroj fort për të dëshmuar, jo para atyre që ma orkestruan këtë proces, por para qytetarëve dhe familjes sime se me devotshmëri dhe pastërti i kam shërbyer këtij vendi”, vazhdoi Limaj.

“Ne jemi pishtarë të rendit të ligjit të zhvillimit në këtë vend derisa të tjerët mundoheshin të orkestronin njollosjen time. Sot gjithashtu i bindur në drejtësi dhe shtet ligjor unë që nga 2013 ballafaqohem me procese gjyqësore, unë asnjë sekondë nuk e kam humbur besimin në drejtësi e në zot. Dhe kam qenë i bindur që herëdokur drejtësia të vijë. Mos qofsha nën lëkurën e atyre njerëzve që montuan rastin tim”.

Gjykata Themelore e Prishtinës, sot, e liroi nga akuzat për krim të organizuar, keqpërdorim me detyrën zyrtare dhe dhënie e marrje ryshfeti, ish-ministrin e Transportit dhe Telekomunikacionit (MTPT), Fatmir Limaj, në të gjitha pikat e aktakuzës për rastin e njohur si MTPT.

Nga të gjitha akuzat u liruan dhe Endrit Shala, Shpëtim Telaku, Nexhat Krasniqi e Florim Zuka.

 

Të ngjashme