Limani i kërkon falje gazetarit Selimi për sulmin, seanca e radhës me 12 janar

Prishtinë | 08 Dhj 2023 | 15:51 | Nga Valmire Abdullahu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Arsim Limani i ka kërkuar falje gazetarit të RTK-së Alban Selimi, raporton Ekonomia Online. Limani dyshohet për vrasje të rëndë të mbetur në tentativë ndaj Selimit. Ai ka thënë se nuk ka pasur qëllim ta lëndoj askënd.

Madje kërkoi që masa e paraburgimit t’i zëvendësohet me arrest shtëpiak, duke u zotuar se do t’i respektojë të gjitha rregullat e Gjykatës.

Përderisa u vendos që seanca e radhës të mbahet me 12 janar, kur do të merren për bazë prova të reja nga vendi i ngjarjes.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 18 gusht 2023, ka ngritur aktakuzë për vrasje të rëndë në tentativë ndaj Limanit, se në mars të këtij viti, ia dogji garazhin Selimit.

Në aktakuzë thuhet se më 16 mars 2023, në garazhin që është ngjitur me shtëpinë e tani të dëmtuarit Alban Selimi, në Fushë-Kosovë, i akuzuari Limani nga motive deri më tani të panjohura, ka tentuar që ta privojë nga jeta të njëjtin, i cili në ato momente nuk ishte në shtëpi, duke rrezikuar jetën e anëtarëve të tjerë të familjes, përkatësisht bashkëshortes së tij dhe dy fëmijëve.

Aktakuza thotë se, këtë tentativë i akuzuari Limani e ka bërë në atë mënyrë që i njëjti është afruar tek dera e garazhit dhe aty ka hedhur një shishe benzinë të ndezur, ku flaka ka përfshinë garazhin, e nga temperatura e lartë është dëmtuar vetura e të dëmtuarve.

Tutje, sipas aktakuzës thuhet se Limani, në kornizën e dritares paraprakisht kishte shkruar fjalët “Mos ha m*t shumë”, e me shpejtësi ishte larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa zjarri është vërejtur dhe fikur nga kalimtarët e rastit, me ç‘rast të dëmtuarave u ka shkaktuar dëm material si dhe ndjenjën e frikës dhe pasigurisë së madhe.

Me këto veprime, sipas Prokurorisë, Limani akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë”, nga neni 173, paragrafi 1, pika 1.15 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndryshe, lidhur me këtë rast, Prokuroria kishte filluar hetime në drejtim të veprës penale “Zjarrvënia” nga neni 322 i KPRK-së, mirëpo lidhur me cilësimin juridik të veprës penale, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Kujtim Kërveshi, më 23 mars 2023, kishte dorëzuar një parashtresë në Prokurori, ku kishte kërkuar që të dyshuarit Limani t’i ricilësohet vepra penale nga “Zjarrevënie” në veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë”.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 20 mars 2023, Limanit ia kishte caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, në të cilën masë gjendet ende i njëjti.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Limani, avokati Fanol Krasniqi, tha se i mbrojturi i tij nuk e kishte për qëllim taprivonte nga jeta Selimin.

Arsim Limanin, në vitin 2017, kishte raportuar se i njëjti ishte dënuar me burgim unik prej 5 vite e 6 muaj, dhe dënimi me gjobë në shumë prej 10 000 euro për organizim të skemave piramidale, bixhozit të paligjshëm, si dhe fajde.

Të ngjashme