Në vazhdën e fushatës për zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit, ekipi zgjedhor i Degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Prishtinë, në krye me kryetarin Lirak Çelaj dhe në përbërje të kandidatëve për deputetë, Shemsi Veseli, Memli Krasniqi dhe Shaip Muja, gjatë ditës së sotme ka realizuar takime me qytetarë të shumtë në lokacione të ndryshme të kryeqytetit.
Kryetari Çelaj dhe kandidatët për deputetë, kanë prezantuar para anëtarëve e simpatizantëve të PDK-së, si dhe qytetarëve të tjerë të Prishtinës, platformën qeverisëse të Partisë Demokratike të Kosovës dhe koalicionit të saj, duke kërkuar besimin e kryeqytetasve për konceptin e kryetarit Kadri Veseli.
Duke folur për keqqeverisjen në Prishtinë gjatë 17 vjetëve të pasluftës, Çelaj tha se kryeqyteti tashmë ka bërë zgjidhjen për të ardhmen e tij, duke vendosur t’i ndëshkojë me votë partitë që abuzuan me besimin e qytetarëve të tij, ndërsa do t’i thotë po të fuqishme PDK-së dhe kandidatëve të saj.
“Tashmë është e sigurt që Partia Demokratike e Kosovës, nga e diela do të jetë partia më e madhe në Prishtinë, ndërsa në zgjedhjet lokale të vjeshtës, do të korrë fitore të plotë. Përfundimisht, nga 11 qershori, Prishtina do të jetë bastion i PDK-së”, theksoi kryetari i Degës, Lirak Çelaj.
Edhe kandidati tjetër për deputet, Memli Krasniqi, tha se Prishtina në kurrizin e saj mban qeverisjet më të këqija që ka njohur ndonjë komunë e Kosovës në gjithë këto vite, prandaj, ai shtoi se tani është koha që bartësit e këtyre keqqeverisjeje të ndëshkohen nga qytetarët e saj.
“Fitorja e PDK-së në këto zgjedhje do të jetë plebishitare. Jam i bindur që Prishtina do të jetë prijatare e kësaj fitoreje, ndërsa qytetarët e saj, më në fund do të gjejnë zërit e tyre të vërtetë”, theksoi Krasniqi.
“Kryetari Veseli për muaj me radhë ka zhvilluar takime dhe ka bashkëbiseduar më qytetarë dhe përfaqësues të të gjitha shtresave të shoqërisë së Kosovës, duke dëgjuar nga ta nevojat, kërkesat por edhe alternativat për zgjidhjen e problemeve të tyre. ‘Fillimi i Ri’ është platforma e vetme serioze, realiste dhe e zbatueshme në Kosovë, sepse gjeneza e saj gjendet te vet qytetarët e vendit. Çdo ditë e më tepër po bëhet më e qartë që edhe Prishtina, si e gjithë Kosova, po e përqafon fuqishëm këtë platformë dhe se fitorja më 11 qershor do të jetë absolute”, theksoi Shemsi Veseli.
Ai shtoi se do të jetë zëri autentik i të gjithë qytetarëve të Prishtinës, ndërsa problemet, hallet dhe kërkesat e tyre, për herë të parë do t’i dëgjojë e gjithë Kosova nëpërmjet mikrofonit të foltores së Kuvendit të Kosovës.
Ndërsa kandidati për deputet Shaip Muja, kërkoi unitet të shtuar në mes përfaqësuesve qendror e lokal brenda strukturës së PDK-së, duke fuqizuar degën, por në të njëjtën kohë, dega të përkrah kandidaturat e veta, të kryeqytetit.
“Fillimi i Ri, ka nxitur shumë qytetarë të afrohen dhe shohin anën reale të projektit. Kjo platformë, nuk është fushatë, është e ndërtuar mbi gjendjen e qytetarit tonë, është platformë për zhvillim, perspektivë dhe ringritje të hovshme të vendit tonë”, theksoi Shaip Muja dhe ftoi qytetarët ta votojnë Kadri Veselin dhe koalicionin që i prin PDK.