Lirak Çelaj: Votoni për një Prishtinë reale, jo të Facebookut

Prishtinë | 27 Sht 2017 | 19:24 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në promovimin solemn të kandidatit për kryetar të Prishtinës Lirak Çelaj dhe Listës së 55 asamblistëve të Partisë Demokratike të Kosovës, morën pjesë kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, nënkryetarë e anëtarë të Kryesisë së PDK-së si dhe deputetë, ministra dhe anëtarë e simpatizantë të Degës së PDK-së në Prishtinë.

Në fjalën e tij, kandidati për kryetar të Prishtinës dhe njëherësh kryetar i Degës së PDK-së në kryeqytet, Lirak Çelaj, ka falënderuar të pranishmit, në veçanti përkrahjen e kryetarit Veseli, i cili i dha mbështetje pa rezervë edhe degës së Prishtinës.

“Programin që e keni para vetes, nuk e kam bërë unë, por e keni bërë Ju qytetarët. Unë si kryetar i Prishtinës së bashku me Juve, ne do të jemi ata që do ta zbatojmë këtë program. Prandaj edhe i kemi asamblistët më të mirë, ata që dinë se çka i duhet Qytetit dhe çka i duhet prishtinalive”, theksoi Lirak Çelaj.

“Qytetarët e Prishtinës janë para një dileme. A duan një Prishtinë të Facebook-ut apo reale; a duan më shumë shkolla apo kifle; a duan më shumë hapësira të uzurpuara apo parqe; a duan më shumë qen endacakë apo siguri për fëmijët e tyre; a duan më shumë parkingje apo kungja”, theksoi Lirak Çelaj në fjalën e tij, gjatë prezantimit të kandidaturës së tij për kreun e Prishtinës, para qytetarëve.

Ai pati kritika rreth punës së udhëheqjes së komunës. “Këta e kanë gojën plot Republikë e askush nuk e ka degraduar më shumë se këta Republikën; flasin për flamurin kombëtar e askush s’e ka devalvuar flamurin më shumë se këta; flasin për qytetin e askush se ka dëmtuar më shumë qytetin. Këta ta plasin zemrën”.

Lirak Çelaj ka vënë në dukje si e sheh Prishtinën, Ai ka theksuar se assesi nuk e sheh të përkohshme, ai tha se e duan qytet për fëmijët e vet dhe fëmijët e fëmijëve e jo vend për punësimin e militantëve të një lëvizje nga krejt Kosova për ta shkatërruar qytetin.

Më pas ai ka radhitur pikat e platformës: Prishtina Destinacion e jo Tranzit, Prishtina e sigurt e jo ku fëmijët rrezikohen edhe nga qentë, Prishtina më shumë parkingje dhe trafik funksional, Prishtina e ngrohtë, Me ne Gollaku bëhet Eko-Zonë. Me ne, Prishtina si kryeqendër e IT-së.

Ai ka kërkuar mbështetjen për ta fituar Prishtinën, t’i japin fuqi. Ai ka ftuar prishtinasit të zgjohen, sepse, të bashkuar e bëjmë, ka theksuar Çelaj, duke ftuar qytetarët ta votojnë PDK-në me numrin 94.

Çelaj ka theksuar se është në mesin e 55 asamblistëve më të mirë që ka Prishtina andaj edhe pret votën e qytetarëve, për ta ndryshuar Prishtinën, për ta bërë Kryeqytet të mirëfilltë.

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, e përshëndeti kandidaturën e Çelajt, duke theksuar se Çelaj ka qenë fitimtar në kohërat më të vështira për vendin, edhe sot është fitimtar, me ekipin më të mirë që ka Prishtina.

Ai ka theksuar keqqevrisjen e kryetarëve të deritashëm që fare nuk kontribuuan që Prishtina të jetë qytet çfarë e meriton, por, ndërmarrësit privat e kanë mbajtur kontributin dhe peshën e ndërtimit dhe modernizimit.

“Lirak Çelaj do ta prezantoj dhe përfaqësoj në mënyrën më të devotshme interesin dhe nevojën e qytetarit të Prishtinës”, ka theksuar Veseli dhe ka shtuar se Prishtina mbetet një ndër qytetet më të pastrukturuara, pa pastërti, pa gjelbërim, pa çerdhe dinjitoze e shkolla të mjaftueshme.

Kryetarët e deritashëm nuk do të mbahen mend as për një vijë biçikletash, theksoi Veseli duke ftuar qytetarët ta votojnë Lirak Çelajn dhe Listën përfaqësuese të PDK-së, si më të mirën, e cila vjen me vizion për ndryshim.

Pikat e Platformës zgjedhore të Çelajt janë: Prishtina Shpejt, Prishtina Sigurt, Prishtina Ngrohtë, Prishtina 24 orë, Prishtina Destinacion, Prishtina që Parandalon, Prishtina e Dijes dhe Prishtina Digjitale.

Veseli: Prishtina është lënë në mëshirë të fatit

Në tubimin e promovimit të kandidatit për kryetar të Prishtinës, Lirak Çelaj, Partia Demokratike ka drejtuar akuza të shumta në drejtim të qeverisjes aktuale.

Kreu i PDK-së, Kadri Veseli, tha se Prishtina dhe prishtinasit janë lënë në mëshirën e fatit.

“Prishtina për fat të keq është kryeqyteti më i pastrukturuar në Evropë:, tha Veseli, i cili e quajti të turpshme që qeverisja e Vetëvendosjes nuk arriti ta bëjë as edhe një vijë për biçiklistë në kryeqytet.

Sipas tij, Prishtina vetëm shfrytëzohet për punësimin e militantëve të kësaj partie nga komunat e tjera.

“Asnjë rrugë me katër korsi nuk e kanë ndërtuar kryetarët e Prishtinës që nga paslufta, por ende janë ato që janë ndërtuar në periudhën e komunizmit”.

Por, Veseli beson se ka ardhur dita që qytetarët ta ndalin keqqeverisjen e Prishtinës.

“Mendoni për fëmijët tuaj, mendoni për të ardhmen e këtij qyteti… Bëhuni bashkë dhe votoni për një vizion që e ndryshon Prishtinën”, ka bërë thirrje Veseli.

   

Të ngjashme