Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Pejë, e cila gushtin e kaluar e ka hedhur poshtë aktakuzën ndaj kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri, i akuzuar për mosekzekutim të vendimeve gjyqësore për kthimin e Hysni Selmanajt në vendin e tij të punës si drejtor i Auditorit të Brendshëm në këtë komunë, ku ka qenë deri në vitin 2015, kur ai ishte suspenduar nga kreu i Komunës.
Gjykata e Apelit e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Pejë, ndërsa e ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Pejë – Departamenti i Përgjithshëm, i datës 16 gusht 2019. Ankesa e palës së dëmtuar Hysni Selmanaj, është hedhur si e palejuar, shkruan sot “Koha Ditore”.
Këtë vendim të Gjykatës së Apelit e ka konfirmuar të hënën për “Kohën Ditore”, gjyqtari i lëndës në Gjykatën Themelore të Pejës, Sejdi Blakaj.
“Shkalla e dytë e ka hedhur poshtë aktakuzën ndaj Gazmend Muhaxherit dhe ka vërtetuar vendimin tim, dhe kjo lëndë është përmbyllur si çështje gjyqësore”, ka thënë gjyqtari Blakaj.