Igor Simiq, kryetar i Komisionit të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim ka kritikuar ministrin e Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, për të cilin tha se vazhdon të refuzojë të vijë në komision.
Simiq tha se këtë çështje do ta ngris në seancë të Kuvendit, pasi theksoi se ai është i vetmi ministër që nuk është zgjedhur nga Kuvendi, raporton Ekonomia Online.
“Ministri i MPB-së refuzon edhe më tej të vijë në komision. Është një çështje juridike që do ta parashtrojë në seancë, është i vetmi ministër që nuk është zgjedhur nga Kuvendi dhe ai duhet të vijë në komision”.
Ky komision ka miratuar Projektligjin për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës; Projektligjin për Miniera dhe Minerale dhe Projektligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje.
Për të gjitha këto projektligje anëtarët e komisionit nga Lista Serbe kanë votuar kundër. Kryetari i komisionit, Igor Simiq, që është pjesë e kësaj liste, e arsyetoi votën kundër për shkak se tha që nuk janë pranuar amendamentet e propozuara nga deputetët e Listës Serbe.
“Lista Serbë ka propozuar amendamnet në këtë ligj, asnjë nuk është pranuar. Grupi ynë nuk do ta përkrah këtë projektligj”, ka thënë Simiq.
Deputeti i VV-së, Xhelal Sveçla, ka kërkuar që deputetët të jenë më aktiv dhe të dalin në terren për të parë nga afër jetën e komuniteteve, raporton EO.
“Kam pritur që do të jemi më aktiv në vizitat në terren, kam prit që do të bëjmë vizita për të parë jetën e komuniteteve. Kërkoj që të shqyrtohet kjo dhe të planifikohet vizita në ato zona që janë të rëndësishme”.
Kryetari i komisionit Igor Simiq tha se dy rundet e zgjedhjeve lokale vitin e kaluar kanë pamundësuar këto vizita, por tha se do t’i vazhdojnë në të ardhmen.
“Në fillim kemi pas zgjedhjet lokale, së shpejti do të vazhdojmë vizitat. Vitet e fundit kanë ndodh disa sulme ne pasuri dhe këto duhet të mos ndodhin”.
Deputeti Veton Berisha kërkoi të dijë se në cilën fazë ka arritur Ligjit për festa zyrtare.
“Duhet të dalim në teren. Dua të di se në cilën fazë ka mbërritur amendamentimi i Ligjit për festat zyrtare”.