Lista Shqiptare, Koalicioni Shqiptar dhe Partia Boshnjake pro qeverisë pakicë në Mal të Zi

Prishtinë | 18 Jan 2022 | 18:48 | Nga Ekonomia Online

Lista Shqiptare, Koalicioni Shqiptar dhe Partia Boshnjake i kanë dhënë mbështetje koalicionit “E Zeza në të Bardhë” për formimin e qeverisë së re në Mal të Zi.

“Modeli i qeverisjes së pakicave, në këto rrethana politike, mund t’i sjellë Malit të Zi stabilitetin e nevojshëm dhe përshpejtimin e procesit të integrimit evropian. Dhe pikërisht kjo është kërkesa e qytetarëve tanë dhe nevojat e shtetit, për të dalë nga spiralja e ndarjes, varfërisë dhe mungesës së shpresës. Prandaj, ne besojmë se mbështetja sa më e gjerë për këtë koncept në Kuvendin e Malit të Zi do të ishte e dobishme për shoqërinë tonë, për harmoninë multietnike të Malit të Zi dhe për ruajtjen e vlerave themelore për të cilat kemi luftuar”, thuhet në deklaratë.

Sipas tyre rruga evropiane dhe euroatlantike e Malit të Zi nuk ka alternativë dhe se mbështetja e partnerëve të tyre është jashtëzakonisht e rëndësishme.

“Sigurisht që na gëzojnë mesazhet që partnerët tanë ndërkombëtarë po deklarojnë me këtë rast, sepse do të kemi nevojë për mbështetjen dhe ndihmën e tyre në periudhën e ardhshme, në mënyrë që reformat të realizohen sa më lehtë dhe të përparojmë drejt anëtarësimit në BE”.

“Rruga jonë evropiane dhe euroatlantike nuk ka alternativë dhe mbështetja e partnerëve tanë është jashtëzakonisht e rëndësishme për ne”.

Deklarata është nënshkruar nga Nik Gjeloshaj prej Listës Shqiptare, Fatmir Gjekajt të Koalicionit Shqiptar dhe Ervini Ibrahimoviqit nga Partia Boshnjake.

Të ngjashme