Listat e pritjes për koronarografi, deri në nëntor

Prishtinë | 06 Gus 2018 | 08:43 | Nga

Shumë pacientë vazhdojnë të mbesin në lista të pritjes për koronarografi, (ekzaminim që siguron një pamje të hollësishme të enëve të cilat furnizojnë zemrën me gjak) e pa u ardhur radha në këtë listë ata që kanë nevojë nuk mund të vënë stenta. Në disa raste edhe pas koronarografisë pacientët duhet të presin rreth 20 ditë për stentim. Për më shumë ka dyshime se stentat që janë blerë nga Ministria nuk janë kualitative, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Rreth 435 pacientë janë në listë të pritjes për koronarografi, listë kjo e cila nuk pritet të përfundojë deri në muajin nëntor të këtij viti. Koronarografia është ekzaminim që siguron një pamje të hollësishme të enëve të cilat furnizojnë zemrën me gjak.

Kjo është konfirmuar edhe nga drejtori i Klinikës së Kardiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) Tefik Bekteshi.

Ai ka thënë për gazetën “Zëri” se kjo listë do të eliminohet në muajin nëntor.

“Jemi duke i thirrur pacientët që janë shënuar në muajin mars. Lista momentale e pritjes është diku rreth 435 pacientë. Po presim sallën e dytë, nëse ajo sipas planit lëshohet në shtator atëherë lista e pritjes do të eliminohet për dy muaj. Deri në vitin e ri, me një sallë e kishim planifikuar që të largojmë listën e pritjes edhe pse çdo muaj paraqiten diku përafërsisht 100 persona dhe ky nuk është numër i vogël”, ka thënë ai për gazetën “Zëri”.

Megjithatë edhe pse është deklaruar se lista për stentime në këtë klinikë është eliminuar, pacientët pa e bërë koronarografinë nuk mund të trajtohen për stentime.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme