Lladrovci dhe Bajrami vizitojnë Parkun e Biznesit në Drenas

Drenas | 26 Pri 2017 | 17:20 | Nga

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci dhe ministrja e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, kanë vizituar Parkun e Biznesit në Drenas ku janë zotuar se shumë shpejt do të zgjidhin problemin e ujërave të zeza në park.

Kryetari Lladrovci dhe ministrja Bajrami pas vizitës që kanë bërë në Parkun e Biznesit, kanë dalë edhe në fshatin Korroticë e Epërme për të parë për së afërmi problemin e krijuar në mospërfundimin e projektit në ndërtimin e impiantit për ujëra të zeza.

Me këtë rast, kryetari Lladrovci tha se ky problem ekziston që nga viti 2010, ku disa banorë kanë penguar përfundimin e punimeve.

“Ministria dhe Komuna kanë memorandum bashkëpunimi për të funksionalizuar Parkun e Biznesit, Komuna ka pas për obligim të lirojë pronat dhe të gjitha pengesat që kanë dalë gjatë realizimit të projektit, por Komuna nuk ka arritur deri më të eliminoj këto probleme, mirëpo si kryetar i ri i Komunës do të merrem së bashku me ministrinë me këtë çështje dhe do të gjejmë një zgjidhje të përbashkët. Ne kemi takuar pronarin kryesor që ka bërë pengesa dhe do të gjejmë një zgjidhje të përbashkët me të, pasi që është në interesin e përgjithshëm të vendit. Nuk do të mbetet vetëm Parku i Biznesit, por ne po mendojmë që edhe pjesën përball Parkut ne hapësirën prej 62 hektarëve të krijojmë një vend ku do të vendosen biznese tjera”, ka thënë kryetari Lladrovci.

Ndërsa Ministrja Bajrami ka thënë se arsyeja e vizitës është që së bashku me Komunën e Drenasit të gjejmë një zgjidhje që Parku i Biznesit të këtë vendin ku lirohen ujërat e zeza.

“Ne se bashku me Komunën e Drenasit, kemi krijuar kushte brenda parkut, por si problem i pazgjidhur ende ka mbetur impianti i ujërave të zeza, por për këtë arsye sot kemi dalur në këtë vend që të gjejmë një zgjidhje të përbashkët, nëse nuk gjendet, do të zbatohet ligji”, ka thënë ministrja Bajrami.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme