Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka dhënë mesazhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke ftuar qytetarët të jenë unik, si bastion i PDK-së dhe rikonfirmim i bastionit të themeluesve të UÇK-së. “Ora e fitores së PDK-së po vije.
Po vije fitorja më e madhe se çdo herë deri më sot. Fitore për heronjtë, dëshmorët dhe martirët tanë, për drejtuesit tanë të larguar nga ne padrejtësisht, sepse na duhet fitore shembullore për Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin si mesazh për lirinë tonë, për vuajtjet tona, për përkushtimin atdhetar dhe punën ditore institucionale për të fuqizuar dhe ndërtuar shtetin”, ka shkruar z. Lladrovci.
Ai ka mesazh edhe për PDK-së dhe parashikimet e sakta rreth proceseve politike.
Postimi i Lladrovcit:
Ora e së vërtetës po vjen. Ora e bashkimit po troket! Drenica si kurrë më parë, me unitet si asnjë herë deri më sot, do ta dëshmojë se ishte vatra e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është vatra dhe bastioni i përjetshëm i Partisë Demokratike të Kosovës. Erdhi ora që Drenica ta dëshmojë se i qëndron besnik traditës së qëndresës shekullore, zot i vetes duke e paguar me mund e sakrificë të bijave dhe bijve të saj më të devotshëm. Është dita që të rikonfirmojmë se jemi bastion i themeluesve të Ushtrisë së saj, të Hashim Thaçit e Kadri Veselit, pavarësisht se ku ata gjinden, sepse ata janë këtu, me ne, ditë e natë, në mendjet e zemrën tonë, si lider, si shokë e vëllezërit tanë. Idetë e prijësve tanë për shtet dhe shtetndërtim, nuk janë harruar, ata qëndrojnë me ne këtu, me mesazhin se ne, Drenica është me Juve, Drenica është me PDK-në, sot e nesër e përgjithmonë, sepse ne nuk harrojmë kush ishim dje, kush jemi sot e kush do të jemi nesër. Qytetarë të komunës së Drenasit dhe Drenicës, Ora e fitores së PDK-së po vije. Po vije fitorja më e madhe se çdo herë deri më sot. Fitore për heronjtë, dëshmorët dhe martirët tanë, për drejtuesit tanë të larguar nga ne padrejtësisht, sepse na duhet fitore shembullore për Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin si mesazh për lirinë tonë, për vuajtjet tona, për përkushtimin atdhetar dhe punën ditore institucionale për të fuqizuar dhe ndërtuar shtetin. Të jemi bashkë, ashtu siç ishim gjatë shekullit të kaluar dhe luftës çlirimtare, ashtu siç e konfirmuam në këto dy dekada. Mesazh Kryesisë së PDK-së Ju bëj thirrje ta dëshmojmë të gjithë se sa vërtetë e duam Partinë Demokratike të Kosovës, sa do t’i respektojmë liderët tanë që padrejtësisht gjenden fizikisht larg nesh. Prandaj, hartojeni listën më të mirë të mundshme pa kandidatë të korruptuar, pa shkelës të ligjit, me gra e burra me integritet e dinjitet që e duan me shpirt PDK-në, Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj pa dallim, me heronjtë, dëshmorët dhe martirët e lirisë tonë! Për miqtë e mi dhe parashikimet në politikë Qëndrimi im i vendosur për kandidatët e listave zgjedhore të nivelit qendror e lokal, për mospjesëmarrjen në Qeveri, për koalicionet e panatyrshme dhe për të ardhmen e PDK-së, po konfirmohen të gjitha të sakta. Për këto parashikime të sakta, ndjehem shkëlqyeshëm edhe pse kam krijuar kundërshtar gjithandej me sinqeritetin tim, por, gjithsesi, kam dëshmuar me punën time dhe veprat e mia se mund të jenë shembull për ata që politikën e mendojnë si kuletë dhe pozitë. Politika është fushë përtej egove!