Lladrovci i uron mirëseardhje Saimir Manes në Drenas dhe Ferronikël

Prishtinë | 31 Kor 2018 | 15:51 | Nga

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka prit sot në takim z. Saimir Mane, pronarin e ri të Ferronikelit, duke i uruar mirëseardhje dhe sukses në Drenas.

Ai, në një shkrim në rrjetin social, ka shkruar se “e falënderova Z. Mane për vizitën, duke uruar për realizimin e projekteve të tij sa më shpejt, në funksion të zhvillimit të Ferronikelit dhe komunës tonë, si dhe fuqizimin e biznesit të tij në Drenicë”.

Ja shkrimi i plotë i Kryetarit të Komunës, Ramiz Lladrovcit në facebook: “Takimi me z. Saimir Mane, pronarin e ri të Ferronikelit, dhe ardhja e tij në Komunë, ishte shumë inkurajues. Rikthimi i Ferronikelit, gjigandit të komunës tonë në burim të të mirave për mijëra familje dhe rikthimin e vëmendjes për investitorët tjerë potencial, është shumë premtues.

Z. Mane, ka dëshmuar se është ndërmarrës i pashoq, i suksesshëm dhe plot energji. Ne e përgëzuam për gjithë sukseset e tij në Shqipëri dhe jashtë saj, duke i ofruar mirëseardhje dhe sukses në komunën tonë.

Unë i ofrova mbështetjen time të plotë, nga ana e komunës, duke theksuar se jemi shumë të interesuar për rivitalizimin e plotë të Ferronikelit, por edhe të shtimit të kapaciteteve prodhuese, ashtu siç është zotuar në opinion Mane.

Po ashtu, e ftova Mane, të shoh mundësitë e investimeve në Parkun e ri të biznesit, ngase, theksova në takim, punësimi i qytetarëve nga komuna jonë është prioritet.

E falënderova  Mane për vizitën, duke uruar për realizimin e projekteve të tij sa më shpejt, në funksion të zhvillimit të Ferronikelit dhe komunës tonë, si dhe fuqizimin e biznesit të tij në Drenicë.”

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme