Ministri Zhvillimit Ekonomik (MZhE), Valdrin Lluka; ai i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj; dhe ministri i Administrtës Publike (MAP), Mahir Yagcilar, kanë vizituar kompaninë “Gjirafa”.
Ata takuan themeluesin e kësaj kompanie Mergim Cahani, të cilit i premtuan mbështetjen e Qeverisë.
Ministri Lluka tha se investimi në teknologji siguron zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, raporton Ekonomia Online.
“Jemi duke shikuar disa forma të bashkëpunimit se si qeveri si mund të ndihmojmë sektorit privat në fushën që punon Gjirafa.com. Kemi gjetur disa mundësi të mira se si sektori publik do t’i ndihmojë në sektorin privat, por edhe sektori publik përfiton nga thithja e taksave nga zhvillimi i kompanive, sikurse dhe nga shërbimet që vijnë nga ky sektor”, theksoi Lluka, raporton Ekonomia Online.
“Është krenari që të shohim një kompani të tillë me një përmasë kaq të madhe që ta kemi lider në botë sidomos tek avancimi i gjuhës shqipe, rregullimi i gjuhës shqipe dhe kërkimi që bëhet përmes gjuhës shqipe. Interesi jonë është kërkimi dhe avancimi në gjuhën shqipe”, u shpreh kreu i MZhE-së.
Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, tha se qeveria qëllim kryesor ka mbështetjen e sektorit privat.
“‘Gjirafa’ është bërë shembull i ekonomisë digjitale në Kosovë me zhvillimet e saj që ajo po avancon ne mënyrë të drejtpërdrejtë në prezantimin e produkteve kosovare përmes platformës së tyre. Ky është model që po zhvillohet në ekonominë botërore. Qeverisa e Kosovës është e interesuar që të ketë bashkëpunim me sektorin privat në mënyrë që ky bashkëpunim te sjell benefite edhe për sektorin privat edhe atë publik”, u shpreh Beqaj.
“Prezantimi i produkteve kosovare ne format elektronike anë-e-mbanë botës, sjellja e produkteve cilësore me garancinë afatgjate, shfrytëzimi i platformave elektronike që përmirësojnë dokumentet e shkruara, janë disa nga benefitet kryesore që përfitojmë nga kjo kompani”.
Ministri i Administrtës Publike (MAP), Mahir Yagcilar, tha se po shikohen mundësit e bashkëpunimit sa më efikas.
“Ne po shikojmë mënyrën e realizimit po shikojmë format e bashkëpunimit në mënyrë që të jeta një bashkëpunim sa më efikas. Është i rëndësishëm aplikacioni që po bëhet në gjuhën shqipe”, tha ai.
Mergim Cahani themelues i kompanisë Gjirafa tha se është kënaqësi të shohësh qeverinë tek ndihmon sektorin privat.
“Jemi duke u rritur shumë shpejt në Kosovë dhe rajon sidomos nga aspekti i gjuhës shqipe dhe po shikojmë për bashkëpunime të ndryshme se si ta rrisim bashkëpunimin me Qeverinë e Kosovës”, tha ai.
Gjirafa është kompani e themeluar në ShBA nga Mergim Cahani, së bahsku me Ercan Canhasin dhe Diogjen Elshanin. Gjirafa me degët e saj në Kosovë dhe Shqipëri numëron rreth 80 të punësuar.