Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZhE) në bashkëpunim me USAID-in kanë organizuar Forumin e Tretë të Nivelit të Lartë për Energji “Investimet në Infrastrukturën e Energjisë”.
Në këtë forum janë prezantuar sfidat dhe mundësitë në funksion të zbatimit të Strategjisë së Energjisë 2017-2026, raporton Ekonomia Online.
Ministri i MZhE-së, Valdrin Lluka, tha se ndër sfidat më të mëdha është energjia, pa lënë anash edhe zhvillimin ekonomik.
Lluka ka garantuar investime në infrastrukturën e energjisë. Ai u shpreh i bindur se që projekti i termocentralit Kosova e Re do të realizohet sipas planit.
Sipas tij, vendit i duhet rritja e furnizimit me burimet e ripërtërishme të energjisë.
“Jam i bindur se periudha para nesh do te na sjellë sfida jo vetëm në energji por edhe në rimëkëmbjen e ekonomisë. Sektori i energjisë mbetet sektori me sfidues në ekonominë tonë. Procesi i zhvendosjes në Shipitullë ishte proces i suksesshëm i cili erdhi menjëherë pas mandatit tim. Strategjia e Energjisë ka një qasje gjithëpërfshirës në termocentralin Kosova e Re, gjithashtu reflektohet nevoja për të rehabilituar termocentralin Kosova B, ta bëjmë edhe atë plotësisht në përputhje me standardet evropiane të dhe ato mjedisore”.
Ai ka garantuar se ministria që drejton do t’i kushtoj rëndësi të veçantë energjisë së ripërtërishme. Lluka tha se aktualisht është duke u përgatitur rishikimi i Ligjit Efiqiencën e Energjisë nga i cili do të përfitojnë një numër i madh sektorësh.
“Ministria e Zhvillimit është duke i kushtuar një vëmendje të veçantë efiqiencës së energjisë, njëjtë sikurse atyre që kanë të bëjnë me burimet e ripërtërishme të energjisë. Aktualisht është duke u përgatitur rishikimi i Ligjit për Efiqiencën e Energjisë, i cili pritet të mundësoj një promovim të mëtejmë të masave të efiqiencës së energjisë dhe krijimin e një tregu përkatës të efiqiencës së energjisë nga i cili do të përfitojë një numër sektorësh”.
Për të lehtësuar përfshirjen e drejtpërdrejtë të pjesëmarrësve të interesuar, janë organizuar edhe dy fokus grupe të ndara për tema të ndryshme.