Grave duhet t’iu jepet mundësia për shkak se kur ato kanë mundësinë, ato dinë të bëjnë ndryshime të mëdha.
Kështu tha ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka gjatë fjalës së tij në hapjen e programit të ecjes mentoruese “Fuqizimi i Gruas Ndërrmarrëse”.
Lluka madje ka premtuar se si ministër do të punojë që bordet e ndërmarrjeve publike të kenë një kuotë prej 30 për qind për përfaqësim të grave, raporton Ekonomia Online.
“Fuqizimi i femrave duhet të jetë në vazhdimësi e sipër. Këtë e kemi dëshmuar edhe në kuvend. Në fillim kemi pasur vetëm 5 përqind të grave që kanë marrë votë, ndërsa 25 përqind e tyre kanë qenë për shkak të plotësimit të kuotës. Ndërsa tash mund të them 25 përqind e tyre kanë marrë votat ndërsa 5 përqind janë sa i përket kuotës.
Siç e dini, në Ministrinë e Zhvillimit i kemi ndërmarrjet publike dhe bordet janë 90 përqind të udhëhequra nga burrat dhe kjo nuk është një gjë e mire, sepse shumica e tyre janë duke shkuar drejt falimentimit. Për bordet jemi duke shikuar që të bëjmë një kuotë të përfaqësimit prej 30 përqind”, theksoi Lluka.
Ndërsa Melita Ymeraga tha se është e lumtur që Kosova përmes këtij marshi i është bashkuar vendeve anekënd botës.
Ymeraga tha se qëllimi i këtij programi është që përmes mentorimit t’i fuqizojë gratë ndërmarrëse.
Ndërsa presidentja Atifete Jahjaga tha se gratë në Kosovë, pa marrë parasysh punës që është bërë, janë ende të diskriminuara për shkak të dukjes së tyre. Sipas saj, diskriminim ka edhe në pagat e grave.
“Gjinia determinon edhe pagën. Gratë mesatarisht kanë paga më të ulëta se burrat edhe pse janë të ngarkuara më shumë sesa burrat.”
Jahjaga shtoi se është e nevojshme që të ketë barazi edhe në bordet udhëheqëse të sektorit privat.
“Duhet t’i sigurojmë që të respektohet e drejta në pronë dhe e drejta që ato e meritojnë ashtu siç e sheh edhe ligji”, tha ajo.