Në ndeshjen që mbante shpresën për kualifikim të ndezur ajo që nuk gabon është Kolumbi, prepotente në 3-0 ndaj Polonisë në impiantin “Kazan Arena”. Tri pikët e para për “Los Cafeteros” në ndeshjen e dytë e tani amerikanolatinët madje pretendojnë edhe vendin e parë në Grupin H, në rast të kombinimit të duhur të rezultateve në ndeshjet e treta.
Më shumë se zhgënjyese Polonia: nuk bëri asgjë në debutimin kundër Senegalit, bëri edhe më pak përballë kolumbianëve që ngjyrat latin të futbollit të tyre i shpalosën përmes veprimeve teknike të Cuadrados, James apo Falcao.
Avantazhi i minutës së 40′ me anë të Yerri Mina, në asistin e James Rodrigues ishte plotësisht i merituar. Kolumbia zotëroi cdo gjë në fushë, që nga 58% të zotërimit të topit, e deri gati dyfishin e pasimeve të Polonisë. Pak, ose aspak furnizimet përpara për sulmuesin e Bayern Munich, Robert Lewandowski. E njëjta situatë si në ndeshjen e parë. Këtë herë nuk ishte Milik nga fillimi, taktike e ndryshuar nga Nawalka, por forma e kualifikueseve nuk u duk askund në Rusi.
Kolumbianët e ndjenë superioritetin dhe e kërkuan mbylljen e ndeshjes, në 13 minuta spektakolare, ku vuri firmën i munguari i madh i Brazil 2014. Radamel Falcao merr kështu revanshin për katër vite më parë, ndërsa Cuadrado tregon klasin e Kolumbisë, si për të dëshmuar se humbja në debutim ishte fare rastësi