Lumezi kërkon profilizim të prokurorëve dhe gjyqtarëve për rastet e ndjeshme

Prishtinë | 21 Tet 2019 | 11:27 | Nga Norë Kelmendi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Me moton “Drejtësia rikthen dinjitetin e viktimave” nën patronatin e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, dhe në mbështetjen e Ambasadës Amerikane në Kosovë dhe UN WOMEN-it, është hap “Java për të Drejtat e Viktimave të Krimit”, me ç’rast po shënohet 10-vjetori i kësaj jave, raporton Ekonomia Online.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi ka thënë se vlerëson që në ballë të kësaj jave nëpër vite prokuroria ka vënë në prioritet të drejtat e viktimave, por edhe një paralajmërim serioz për shkelësit e të drejtave të viktimave të krimit.

Sipas tij. këto të drejta janë të garantuara me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës dhe hyjnë në kuadër të të drejtave themelore dhe, si të tilla, duhet mbrojtur me çdo kusht nga institucionet shtetërore.

“Angazhimi im si Kryeprokuror i Shtetit dhe i të gjithë mekanizmave relevantë nuk do të mungojë që rastet e viktimave të krimit të trajtohen drejt gjatë gjithë procedurave, ndërsa kryerësit të marrin dënimet meritore”, ka deklaruar Lumezi.

“Të drejtat e viktimave të krimit janë të drejta të garantuara me Kushtetutën e Kosovës dhe si të tilla duhet mbrojtur nga shteti. I siguroj qytetarët që t’i ndërmarrin të gjitha veprimet që viktimat e krimit do të trajtohen me dinjitet dhe respekt. Nga të gjithë ju pres që me përkushtim të i shërbeni viktimave sa herë që ata trokasin në dyert e prokurorisë. Ndër vite kemi vënë prioritet mbrojtjen e viktimave, por edhe ndëshkimin e krimit dhe jemi angazhuar që kryerësit e krimit ta marrin dënimin e tyre. Kemi kërkuar shqiptimin e sanksioneve penale ndaj autorëve të këtyre veprave penale”, tha Lumezi.

Lumezi shtoi se mos ndëshkimi i këtyre rasteve, por edhe autorëve të krimit, mund të bëjë që historia të përsëritet.

“Mos zbulimi dhe ndëshkimi i autorëve të krimit sjellë pasoja në viktimat dhe shtetin dhe mos ndëshkimi i tyre bën që historia të përsëritet. Jemi dëshmitarë që gjatë 10 viteve është themeluar Zyra për Mbrojtjen e Viktimave, ajo i trajton këto lëndë me prioritet. Sot prokurorët e shtetit i trajtojnë të gjitha lëndët madje edhe ato ekskluzive siç ishin ato të EULEX-it. Pa sqaruar rastet e kaluarës do të kemi një të tashme të paqëndrueshme dhe do të kemi të pamundur që të krijojmë një të ardhme të pranueshme për të gjithë. Është e nevojshme të vazhdohet në profilizimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve për rastet e ndjeshme”.

“Ju siguroj që të gjithë prokurorët e shtetit do ta ushtrojnë autoritetin e tyre për mbrojtjen e viktimave. Kryeprokurori i Shtetit po tregon efikasitet të mirë në zbatimin e ligjit andaj po e kthen edhe besimin e qytetarëve. Unë besoj që me përpjekjen e gjithë neve drejtësia do bëhet reflektim i efikasitetit. Unë si kryeprokuror i shteti i siguroj qytetarët për forcimin e shtetit ligjor dhe mbrojtjen e viktimave”.

Ndërsa Enver Peci , kryetar i Gjykatës Supreme, tha se autoritetet e kanë për detyrë që nëpërmes politikave ndëshkimore, të parandalojnë zhvillimin e dukurive negative.

“Kosova si shtet ne aspektin legjislativ ka konsoliduar mjaftë mirë mbrojtjen e viktimave. Mbrojtja e drejtave të viktimave është prioritet dhe nuk guxon të neglizhohet. Që nga viti i kaluar unë jam angazhuar intensivisht në unifikimin e politikës ndëshkimore”.

“Sot në shënimin e kësaj jave kemi ligjin para vetës dhe jemi të obliguar që të sigurojmë drejtësi për çdo qytetarë. Në këtë ditë të rëndësishme nuk kemi assesi si mos të përmendim rastet që ndodhin në përditshmërinë tonë andaj qytetarët presin që ligji të zbatohet në përpikëri”.

“Si shtet dhe si shoqëri duhet të mobilizojmë forcat për ngritjen e kapaciteteve profesionale. E kemi për detyrë që përmes politikës ndëshkimore të parandalojmë zhvillimin e dukurive negative. Ne duhet të riafirmojmë të drejtën e secilit që të jetojë i lirë nga dhuna”.

Basri Kastrati, menaxher i zyrës për mbrojtjen e viktimave, tha se angazhimi i organeve të drejtësisë për mbrojtjen e këtyre viktimave do të vazhdoje gjatë 365 ditëve jo vetëm gjatë kësaj jave, raporton EO.

“Kosova nga viti na vit ka një progres të shtuar në angazhimin e mbajtjes së viktimave të luftës. Gjatë këtyre 10 viteve kemi bërë një progres të duhur edhe në avancimit e pozitës edhe të atyre që i mbrojnë këto viktimave. Ne do të vazhdojmë angazhimin tonë për mbrojtjen e viktimave jo vetëm gjatë kësaj jave po gjatë 365 ditëve”.

https://www.facebook.com/EkonomiaOnline/videos/2354411094682110

Të ngjashme