Lushaku-Sadriu: Ndëshkimi i mësimdhënësve me ndalje page krijon një krizë shoqërore, më e dëmshme se krizat e tjera

Prishtinë | 03 Tet 2022 | 16:02 | Nga Ekonomia Online

Kryetarja e Forumit të Gruas e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka thënë se Qeveria Kurti njëherë i dënoi nxënësit dhe tani po i dënon dhe “disciplinon” mësimdhënësit.

Në një postim në Facebook, Lushaku-Sadriu ka thënë se Qeveria në vend të drejtës për grevë, po dëshrion t’i “disciplinojë” mësimdhënësit dhe t’i bëjë si shembull për të tjerët që guxojnë ta kundërshtojnë.

Ajo ka theksuar se ndëshkimi i mësimdhënësve me ndalje page krijon krizë shoqërore, “e cila është pakrahasimisht më e dëmshme se krizat tjera që po kalojmë”.

POSTIMI I PLOTË:

Qeveria njëherë dënoi nxënësit dhe tani po i dënon dhe disciplinon mësimdhënësit. Disciplinim në vend të drejtës për grevë, për të ju shërbyer edhe si shembull të tjerëve.

A është ky drejtimi që ka marë shteti jonë; duke disciplinuar qytetarët dhe punëtorët publik?!Në vend të talljes me mësimdhënësit duhet të mendohet për dëmin dhe frikën që i është shkaktuar nxënësve dhe prindërve, si asnjëherë në historinë e arsimit të Kosovës.

E gjithë kjo në kohën kur qeveria i mbanë paratë larg nga investimi dhe qarkullimi në ekonominë e vendit në kohë krize. Si është e mundur që “Qeveria me rritjen më të madhe ekonomike ndonjëherë” – siç thonë – të ndëshkojë shtyllën e arsimit, mësimdhënësit?!

Do të thotë rritja ekonomike, nuk nënkupton rritje mbështëtjeje për arsimin?!

Përfundimisht, ndëshkimi i mësimdhënësve me ndalje page krijon një krizë shoqërore, e cila është pakrahasimisht më e dëmshme se krizat tjera që po kalojmë.

Të ngjashme