Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, ka reaguar ashpër në Kuvendin e Kosovës ndaj deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët nuk e përkrahën një amendament për financimin e një projekti që ka të bëjë me furnizimin me ujë të Skenderajt.
Lushtaku ka thënë se me një votim të tillë deputetët e VV-së e kanë treguar fytyrën e tyre të vërtetë dhe se janë kundër Drenicës.
Pas hedhjes në votim të amendamentit me numër 51, ai u hodh poshtë me 52 kundër, ndërsa 22 deputetë votuan për.
“Shpreh keqardhjen e madhe ndaj këtij votimi që po tregon që partia Vetëvendosje e ka ende një hatër-mbetje për shkak të votave që s’ja ka dhënë as në qendrore as në lokale”, tha Lushtaku.
“Ju po e tregoni fytyrën e vërtetë që jeni kundër Drenicës. Vetëm t’ua rikujtoj që kohën më të vështirë edhe aparati serb në krye me Millosheviqin na kanë dashtë me na ndalë ajrin edhe jetën me na e marr e nuk kanë mujt. Ujin kurrë s’keni me mujt me na ndal, por ju veç e keni tregu fytyrën e vërtetë. Është për turp çka keni bërë sot në këtë votim”, tha Lushtaku.
Ndaj fjalëve të Lushtakut ka reaguar kreu i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili ka cilësuar se gjuha e Lushtakut është joparlamentare.