Kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ka përkujtuar përvjetorin e zhdukjes së grupit të intelektualëve, duke shprehur nderim të thellë për figurat që, sipas tij, mbeten ndër më të ndriturat e kombit.
Ai ka përmendur patriotin Idriz Rreci, doktorin Fatmir Fazlija, profesorin Demir Ahmeti, si dhe pjesëtarët e tjerë të grupit prej 23 burrave: Shaqir, Samir, Xhemail, Salih, Naser, Zymer, Tahir, Selim, Bekim dhe Xhevdet Mëziu, Sahit Berani, Ali Haliti, Adem Ademi, Adem Beqiri, Hasan Dërvari, Shaip, Mahir, Faton, Shkelzen dhe Nazim Ujkani.
“Ky grup ishin zë i arsyes, i dijes dhe i përkushtimit kombëtar që me veprën dhe qëndrimin e tyre, dëshmuan se intelektualët e vërtetë nuk heshtin përballë padrejtësisë, por qëndrojnë në anën e së drejtës, edhe atëherë kur çmimi është i lartë”, ka shkruar Lushtaku në Facebook.
Tutje ai ka thënë se zhdukja e tyre mbetet plagë e hapur dhe kujtesë e përhershme për sakrificën që u bë në rrugën drejt lirisë ndërsa emrat dhe vepra e tyre nuk do të harrohen kurrë.