Lutfi Haziri tregon nëse do të kandidojë përsëri për Kryetar të Gjilanit

Prishtinë | 02 Qer 2021 | 19:00 | Nga Ekonomia Online

Zgjedhjet Lokale pritet të mbahen në muajin tetor të këtij viti. Tashmë, disa parti politike kanë zyrtarizuar kandidatët e tyre për Komunat përkatëse.

Por, një gjë e tillë ende s’ka ndodhur në degën e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), në në Gjilan, ku për momentin kjo komunë udhëhiqet nga nënkryetari i kësaj partie, Lutfi Haziri.

Në një prononcim për Gazetën Online “Reporteri.net”, Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se në këtë muaj do të zyrtarizohen kandidaturat për të parin e këtij qyteti.

Haziri tha se ende nuk është vendosur se kush do t’i prijë listës për Kryetar të Gjilanit nga LDK-ja, pasi siç thotë ai, janë në një debat të brendshëm.

“Në këtë muaj zbardhen kandidaturat për Kryetar të Komunës, duke përfshirë edhe Gjilanin. Ende s’kemi vendosur, pasi jemi në debat të brendshëm”, tha shkurt Haziri për Reporteri.net.

Në këtë komunë ka pasur zëra se nëse nuk kandidon kryetari aktual në Zgjedhjet Lokale të këtij viti, atëherë vendin e tij pritet që ta zë nënkryetari i Gjilanit, Arbër Ismajli.

Ndryshe, sot presidentja e vendit, Vjosa Osmani, është takuar me përfaqësuesit e partive politike për caktimin e datës së Zgjedhjeve Lokale.

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se partia e tij ka propozuar që data e zgjedhjeve komunale të jetë 31 tetori.

“Ne jemi gati si LDK për çdo datë të mundshme, për t’u futur në garën zgjedhore. Por rekomandimi ynë është 31 tetori si datë adekuate, por çdo datë tjetër do të ishte e pranueshme. Ne i propozuam dhe kërkuam Presidentes që 31 tetorin ta shpall datë të zgjedhjeve”, ka deklaruar Abdixhiku.

Edhe kryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, pas takimit me shefen e shetit, ka kërkuar nga kjo e fundit që 31 tetori të jetë date e mbajtjes së zgjedhjeve lokale.

“Institucionet që merren me zgjedhjet në KQZ duhet të kenë mjaft kohë që procesi të jetë i përgatitur mirë, kemi kërkuar si datë 31 tetorin e këtij viti dhe mendojmë që është brenda afatit kushtetues dhe do të lejonte që komunat të kenë mjaft kohë të përgatiten për zgjedhje, mbi të gjitha KQZ-ja”, tha Hoxhaj, shkruan Reporteri.net.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se kjo parti nuk ka pasur preferenca datash sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve lokale.

“Zgjedhjet të ndodhin në afatet kohore. Aty u diskutua data 31 tetor, ajo që dihet është se mandati i kryetarëve të komunave përfundon më 22 tetor, nuk është mirë me iu ndalë mandati asnjë ditë”, tha Tahiri pas takimit me Osmanin.

Të ngjashme