Majlinda Kelmendi dhe Driton Kuka i bashkohen UBT-së

Prishtinë | 22 Tet 2021 | 11:04 | Nga Ekonomia Online

Numrit të madh të profesionistëve dhe ekspertëve të cilët janë pjesë e UBT-së i janë shtuar edhe kampionia botërore dhe olimpike në xhudo, Majlinda Kelmendi, dhe trajneri i mirënjohur me një bagazh të jashtëzakonshëm në sportin e xhudos, Driton Kuka.

Tani, studentët e Fakultetit Shkencat e Sportit dhe Lëvizjes në UBT, do të kenë mundësi që të marrin njohuri dhe praktika nga njerëzit më të suksesshëm që ka Kosova, të cilët ishin dhe mbeten ambasadorët më të mirë që ka vendi ynë.

Rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, iu ka uruar mirëseardhje në shtëpinë më të madhe akademike në vend, dy personaliteteve që Kosovës i kanë sjellë shumë suksese përmes sportit të xhudos.

“Pjesë e UBT-së po bëhen edhe dy kampionë të cilët kanë kontribuar jashtëzakonisht shumë në përfaqësimin dinjitoz të vendit tonë në arenën ndërkombëtare. Dritoni dhe Majlinda, përvojën e tyre do ta ndajnë me studentët dhe gjenerata e reja në UBT, dhe ardhja e tyre do të forcoj edhe më shumë nivelin e cilësisë dhe krijimit të kuadrove me mentalitet fitues në UBT”, ka thënë rektori Hajrizi.

Trajneri i mirënjohur, që së fundmi është bërë pjesë e UBT-së, Driton Kuka, ka thënë se duke bashkëpunuar me UBT-në, ai do të ndajë njohuritë dhe përvojat e tij me studentët e Fakultetit Shkencat e Sportit dhe Lëvizjes në UBT.

“Në Fakultetin Shkencat e Sportit dhe Lëvizjes në UBT, të angazhuar do të jemi edhe unë dhe Majlinda. Drejtimet do të jenë atraktive për të gjithë, dhe një drejtim do të jetë edhe për Coaching, aty do të jem unë si ligjërues dhe do shpërndajë njohuri për botën e trajnerëve të ardhshëm”, ka thënë Kuka.

Fakulteti Shkencat e Sportit dhe Lëvizjes në UBT, studentëve përpos që është duke u ofruar një kurrikulë moderne, të bazuar kryesisht në lëndë të cilat janë praktike, tani po sjellë profesionistët më të mirë që ka vendi, e të cilët do të jenë në secilin hap të tyre në rrugëtimin akademik.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme