Maliqi: Marrëveshjet e Brukselit praktikisht kanë vdekur, rreziku është i lartë

Prishtinë | 05 Nën 2022 | 15:55 | Nga Ekonomia Online

“Praktikisht jemi kthyer para 2013-s në veri. Marrëveshjet e Brukselit në fakt kanë vdekur dhe rreziqet e sigurisë janë mjaft të larta”.

Kështu e ka përshkruar analisti politik, Agon Maliqi, tërheqjen e ‘Listës Serbe’ nga të gjitha institucionet e Kosovës duke cituar një parashikim të muajit gusht të Belgzim Kamberit, kryetar i Këshillit për të Drejtat e Njeriut në Luginën e Preshevës.

“Më pak gjasa ka që Kosova dhe Serbia të shkojnë drejt një lloj marrëveshjeje dhe ka më shumë gjasa të shkojnë drejt një kursi përplasjeje – domethënë, shpërbërja e marrëveshjes së Brukselit dhe krijimi i realiteteve të reja në terren”, kishte shkrar Kamberi në Twitter.

Ndryshe ‘Lista Serbe’ ka vendosur të shtunën që pjesëtarët e saj të largohen nga institucionet e Kosovës.

Ky vendim është marrë pas një takimi të zhvilluar në mesditën e së shtunës në Zveçan.

Serbët nuk do të kthehen në institucionet e Kosovës deri në momentin kur Qeveria e Kosovës tërheq vendimin për targat dhe fillon formimin e Asociacionit për komunat me shumicë serbe.

Kryetari i Listës Serbe dhe njëherit ministri për Komunitete the Kthim, Goran Rakiç, ka dhënë dorëheqje nga pozita të cilën e ka drejtuar pak më shumë se një vjet e gjysmë.
Edhe Igor Simiç, i cili është deputet nga radhët e Listës Serbe ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.

Serbët kanë vendosur që të largohen edhe nga gjyqësori si dhe policia.

“Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri”, ka thënë Rakiç pas takimit.

Në anën tjetër zyrtarë të Policisë së Kosovës, pas vendimit të Listës Serbe për t’u larguar nga të gjitha institucionet kanë larguar nga trupi i tyre uniformat e Policisë së Kosovës.

Të ngjashme