Prej nesër, në territorin e Komunës së Malishevës, do të filloj trajtimi i qenve endacakë. Ky trajtimin do filloj, pasi Drejtoria për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillimi Rural, ka nënshkruar sot një marrëveshje me fondacionin zviceran “Stray Coco”, ndërsa nga nesër edhe fillon implementimi i kësaj marrëveshje, përmes së cilës, do të bëhet sterilizimi dhe kastrimi i qenve endacak.
Kjo marrëveshje është nënshkruar nga drejtori komunal për bujqësi Murat Hoxha dhe Blendi Bejdonit, përfaqësues i fondacionit “Stray Coco” në Kosovë.
Me të gjitha angazhimet për sterilizimin dhe kastrimin e qenve endacak, do të merret ky fondacion, duke filluar nga kapja, transporti deri në klinikë dhe të gjitha procedurat kirurgjikale për sterilizim dhe kastrim.
Këtë gatishmëri, e ka shprehur ky fondacion, pas përpjekjeve të drejtorit Murat Hoxha, për zgjidhjen e këtij problemi shqetësues. Mbikëqyrja e kësaj marrëveshje, do të bëhet nga Drejtoria për Bujqësi dhe Stacioni Policor në Malishevë.
Përndryshe, prania e jashtëzakonshme, e qenve endacak në territorin e Komunës së Malishevës, ka qenë një prej shqetësimeve kryesore, pasi numri i madh i tyre, ishte rrezik potencial për sigurinë fizike dhe shëndetësore. Përveç rrezikut nga kafshimet e mundshme, qytetarët kanë qenë të rrezikuar edhe nga bartja e viruseve të ndryshëm nga ana e qenve pa përkujdesje, si dhe bartja e insekteve të ndryshme, nga fusha në vendet e banuara, përfshi edhe bartjen e rriqrave.
Me këtë rast, Drejtori i Drejtorisë për Bujqësi, Murat Hoxha, ju bën thirrje të gjithë atyre pronarëve që mbajnë qen në shtëpi, që të kujdesen për vendosjen e shenjave identifikuese për qen, siç janë rripat me qafore për qen, apo ti mbajnë të lidhur, në mënyrë që të mos kapen dhe të trajtohen bashkë me qentë tjerë endacak.
Projekti do të zgjatë deri në trajtimin e të gjithë qenve endacak.