Malisheva përkujton maturantët në 12-vjetorin e vdekjes tragjike

Prishtinë | 14 Tet 2016 | 15:15 | Nga

Në “Lëndinën e lotëve”, (Fushë Arrëz) aty ku janë të varrosur pesëmbëdhjetë maturantët e gjimnazit “Abdyl Frashëri” (tani “Hamdi Berisha”), në dymbëdhjetë vjetorin e vdekjes tragjike, janë përkujtuar dhe janë bërë homazhe, nga mijëra nxënës, qytetarë e zyrtarë komunalë.

“Edhe pas dymbëdhjetë viteve, dhimbja është e njëjtë për maturantët, që humbën jetën në lulen e rinisë”, ka thënë nënkryetari i Komunës së Malishevës, Rexhep Mazreku, gjatë homazheve.

Pikërisht në orën 14:14, mijëra qytetarë, nxënës, familjarë e zyrtarë të Komunës së Malishevës, kanë mbajtur një minutë heshtje dhe më pas kanë bërë homazhe, për pesëmbëdhjetë maturantët e gjimnazit, të cilët, humbën jetën tragjikisht, më 14 tetor 2004, në orën 14:14, në Fushë Arrëz, të Shqipërisë, gjatë kthimit nga ekskursioni në Shqipëri.

Kjo tragjedi, është edhe tragjedia më e rëndë e ndodhur në Kosovën e pasluftës, pasi humbën jetën pesëmbëdhjetë maturantë, në lulen e rinisë, ndërsa u lënduan dhjetëra të tjerë.

Nënkryetari i Komunës së Malishevës, Rexhep Mazreku, i shoqëruar nga drejtori i arsimit, Avdi Morina dhe drejtorë e zyrtarë tjerë komunal, kanë bërë homazhe në varrezat e maturantëve dhe e kanë ndarë dhimbjen me familjarët e tyre, që siç tha nënkryetari Mazreku, “edhe pas pesëmbëdhjetë viteve, dhimbja është e njëjtë, ndërsa kujtimi për ta, nuk do të harrohet kurrë”.

Në këtë tragjedi e kanë humbur jetën këta maturantë: Berat Suka, Esat Hajrullahu, Elgadaf Zabelaj, Mifail Morina, Rifat Hoxha, Xhevdet Sertolli, Visar Kafexholli, Agron Berisha, Ajet Rrahmanaj, Esat Rexhaj, Labinot Morina, Lulzim Kastrati, Megezon Sadiku, Rruhi Ulluri dhe Xhevet Sahitaj.

Të ngjashme