Malisheva së shpejti me vizita mjekësore nëpër shkolla

Prishtinë | 17 Tet 2016 | 12:20 | Nga

Nëpër shkollat e Komunës së Malishevës së shpejti do të fillojë realizmi i projektit të vizitave sistematike shëndetësore.

Kështu u theksua në mbledhjen e Këshillit të drejtorëve, të cilën e udhëheqë kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, në të cilën u raportua edhe si një javë e suksesshme në sport, ku ekipet malishevase, kanë treguar rezultate të mira.

Drejtori për Shëndetësi, Hajdin Berisha, tha se janë në përgatitje të fillimit të projektit për realizimin e vizitave shëndetësore sistematike, në shkollat e Komunës së Malishevës, ku përfshin nxënësit e klasave, të para, të pesta dhe të nënta. Ai gjithashtu ka bërë të ditur se janë furnizuar me vaksina kundër gripit sezonal.

Ndërsa, në fushën e sportit, drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Blerta Krasniqi, ka njoftuar për suksese të ekipeve të Malishevës, në garat e ndryshme, duke filluar me klubin e notit “Besa”, të cilët janë shpallur kampion në kampionatin e Kosovës në pishinë të mbyllur (25 metra), për kategorinë e juniorëve dhe pionierëve. Po ashtu, edhe ekipi i volejbollit është duke vazhduar me rezultate të mira, sikur edhe ekipi i futbollit dhe ai i futsallit.

Sa i përket realizimit të projekteve kapitale, drejtori i urbanizimit, Ahmet Morina, tha se janë duke vazhduar me realizimin e projekteve, kryesisht në infrastrukturë, por herë pas here, këto projekte mund të kenë ngecje, për shkak të kushteve atmosferike.

Në fushën e ekonomisë drejtori, Vesel Krasniqi, ka thënë se janë në përfundime sipër të rregullores për taksa, për vitin 2017, ndërsa Buxheti i komunës, është shpenzuar në masën shtatëdhjetë për qind.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme