Tri raste të dhunës në familje brenda një dite në rajonin e Prishtinës, tre të dyshuar përfundojnë në mbajtje

Prishtinë | 07 Nën 2026 | 09:07 | Nga Ekonomia Online

Tri raste të dhunës në familje janë raportuar gjatë së premtes, më 6 nëntor 2026, në Fushë Kosovë, Prishtinë dhe Gllogoc. Për të tria rastet, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.

Sipas raportit të Policisë së Kosovës, rasti i parë është raportuar në Fushë Kosovë, rreth orës 05:00, ku një burrë dyshohet se ka kanosur familjarët e tij.

Policia ka njoftuar se i dyshuari ka probleme të shëndetit mendor dhe është dërguar në mbajtje.

Rasti i dytë ka ndodhur në Prishtinë, rreth orës 12:55, ku një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj ish-partneres së tij, me të cilën kishte bashkëjetuar dhe ka dy fëmijë të përbashkët. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

Ndërkaq, në Gllogoc, rreth orës 21:00, është arrestuar një burrë, i cili dyshohet se pas një mosmarrëveshjeje ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së tij.

Edhe në këtë rast, me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Të ngjashme