Manastirliu apelon që të gjithë qytetarët mbi moshën 18 vjeçare të vaksinohen

Prishtinë | 13 Gus 2021 | 17:09 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në Shqipëri, Ogerta Manastirliu, ka inspektuar sot qendrën verore në Drimadhes, në Dhërmi,  që është një nga 29 qendrat shëndetësore verore të hapura për pushuesit përgjatë zonave turistike.

“Janë më shumë se 29 mijë qytetarë të cilët kanë marrë shërbime në qendrat shëndetësore verore, tetë mijë prej tyre janë turistë të huaj që kanë ardhur dhe kanë pasë qasje në shërbimin shëndetësor në territor gjatë periudhës së sezonit turistik, që nga momenti që i kemi hapur këto qendra më 15 qershor e deri më tani”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se qendrat shëndetësore verore kanë ulur fluksin në spitale, duke ofruar shërbime të urgjencës për turistët.

“Ajo çfarë na tregon programi i hapjes së qendrave verore shëndetësore është se ka reduktuar fluksin në spitale. Nga 29 mijë qytetarë që kanë marrë shërbime më pak se 3% e tyre janë referuar në spitale, që do të thotë se qytetarët kanë marrë shërbimin e kërkuar në këto qendra”.

Nga qendra shëndetësore në Dhërmi, Ministrja e Shëndetësisë bëri me dije se më shumë se 60% e popullatës së rrezikuar mbi 50 vjeç tashmë është vaksinuar, teksa u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve mbi 18 vjeç të vaksinohen sa më parë gjatë këtij muaji të hapur.

“Në Shqipëri kemi 1.8 milionë doza të mbërritura të vaksinave të ndryshme të cilat janë efektive, ndaj dua të ftoj qytetarët të shfrytëzojnë muajin gusht ku tashmë vaksinimi +18 vjeç po vijon dhe vetëm në 13 ditët e para janë më shumë se 100.000 vaksinime të kryera”.

Rreth 130 mjekë dhe infermierë në qendrat shëndetësore verore ofrojnë shërbim 24/7 për emergjencat në 29 pika turistike nga veriu në jug./ TCh

Të ngjashme