Manastirliu: Së shpejti kontratë e re me Pfizer për 500 mijë doza brenda vitit

Prishtinë | 14 Sht 2021 | 12:00 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë, Ogerta Manastirliu, e cila drejton Sesionin e 71- të Komitetit Rajonal për Europën të OBSH, që po zhvillon punimet në Kopenhagen të Danimarkës, tha se Shqipëria është një ndër vendet e cila e ka përballuar me një qasje proaktive periudhën e pandemisë.

Ministrja e Shëndetësisë bëri me dije se është drejt përfundimit negociata për një tjetër kontratë me kompaninë e vaksianve Pfizer, për të sjellë 500 mijë doza vaksine të tjera në vendin tonë.

“Jam e kënaqur të them se jemi duke negociuar dhe përfundojmë se shpejti një kontratë tjetër me kompaninë Pfizer për 500 mijë doza vaksine, të cilat do të mbërrijnë në 3-mujorin e fundit të këtij viti dhe natyrisht do të vijojmë të kemi një qasje proaktive për të rritur mbulesën vaksinale tek grupet e riskut, sidomos tek punonjësit shëndetësor, tek mësuesit dhe gjithashtu të gjithë punonjësit e shërbimeve në administratën publike”, bëri me dije Manastirliu.

Në takimin e nivelit të lartë që po mbahet në Kopenhagen, po vihet theksi nga të gjithë ekspertët, për të rivlerësuar arkitekturën e sistemeve shëndetësore, me mësimet e nxjerra nga pandemia COVID-19, raporton TvKlan, transmeton Klankosova.tv.

“Në këtë takim që ne drejtojmë në cilësinë e drejtueses së këtij sesioni të rëndësishëm të Komitetit Rajonal për Europën në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, po vihet theksi me të gjithë ekspertët e fushave, se si do të rivlerësohet arkitektura e sistemit shëndetësor dhe se si do të vlerësohet dhe do të mbështetet sistemi shëndetësor në raport me kujdesin parësor, në raport me programin e vaksinimit dhe gjithashtu edhe me mbështetjen ndaj financimit të qëndrueshëm drejt mbulimit shëndetësor universal”, tha Manastirliu.


Të ngjashme