“Marakli t’kerreve” protestojnë kundër shtrenjtimit të sigurimit të veturave: S’ndalemi deri në pezullim të vendimit

Prishtinë | 19 Nën 2019 | 13:17 | Nga Kastriot Kokollari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Nga data 15 nëntor ka hyrë në fuqi vendimi i Bankës Qendre të Kosovës (BQK) për shtrenjtimin e sigurimi të automjeteve për 26%.

Ndërsa ky vendim ka ngjallur reagime edhe te grupi i “Marakli t’kerreve” ku ata kanë organizuar protestë e cila do të mbahet të premten para këtij institucioni.

Njëri nga organizatorët e protestës nga grupi “Marakli t’kerreve”, Agan Hajdarhoxha në një prononcim për Ekonomia Online thotë se vendimi për rritjen e çmimeve dëmton rëndë xhepin e qytetarëve duke marr parasysh ekonominë në Kosovë.

“Ne po kërkojmë qe me u kthyer vendimi i vjetër për shkak që ky vendim i ri tash e dëmton hala më shumë xhepin e qytetarëve, sinqerisht kur e kemi marrë vesh qe po rritet ne kemi menduar që po e shqyrtojnë për me rrit dhe nuk menduam që kanë me e rrit menjëherë se duke marr parasysh që ekonomia e vendit dhe xhepat e qytetarëve veç janë tu u shpraz dhe këta shkojnë e rritin çmimin dhe dëmtojnë xhepin e secilit qytetar”.

Hajdarhoxha shtoi se përgjigja e vetme që kanë marr nga BQK-ja ishte se vendimi për rritjen e çmimit të sigurimeve të veturave është duke u shqyrtuar.

Ai thotë se protestat nuk do të ndalen deri sat ë kthehet vendimi i vjetër, raporton EO.

“Para një jave BQK-ja në faqen e vet zyrtare ka qit një sqarim dhe ka thënë qe ne jena duke e shqyrtuar  rritjen ndërsa edhe Shoqata e Sigurimeve të Kosovës thonin që po e shqyrtojnë rritjen ndërsa të premten u murr vendimi që mu rrit. Sqarimin që e ka bë BQK-ja në faqen e vet zyrtare ka qenë shumë i gjatë dhe besoj që çdo intelektual nuk mundet me kuptuar sqarimin e tyre dhe nuk është thënë asgjë dhe në një far mënyre ka qenë mashtrim”.

“Përgjigja e vetme që e kemi marr prej BQK-së ka qenë se jemi duke e shqyrtuar rritjen dhe ndërsa tash e tutje nuk kemi marrë ndonjë përgjigje, por pa u kthyer vendimi i vjetër ne nuk kemi me u ndal”.

Sipas tij rreth 4200 persona janë të interesuar për pjesëmarrje në protestë, por ai shpreson që ky numër do të rritet deri në ditën e premte.

“Deri tash të interesuar janë diku rreth 4200 persona, por numri vazhdimisht është duke u rrit dhe ne shpresojmë që ky numër të jetë edhe më i madh sepse qëllimi i protestës është shumë thjesht që të mbrojmë xhepin e  qytetarit dhe jo për ndonjë interes të veçantë dhe nuk është për qëllime politike, thjesht me u ngritë zëri i qytetarit”.

“Protesta e parë është ditën e premte dhe nuk kemi mu ndal deri në kthimin e vendimit të vjetër të cilin duhet me bë BQK-ja patjetër. Ne kemi me vazhdu me protestuar çdo vikend në qoftë se është nevoja deri në kthimin e vendimit të vjetër dhe protesta nuk do të ndalet”, tha ai.

Ai theksoi që nuk do të pranojnë asnjë rritje edhe më të vogël se 26%, sepse edhe çmimi i deri tanishëm ka qenë shumë i lartë.

“Ne nuk mundemi me pranuar asnjë vendim tjetër, se edhe vendimi që ka qenë më herët ka qenë shumë i shtrenjtë se për me dashtë diku jashtë vendit sigurimi i vjetër nuk të vlen dhe duhet me marr një sigurim të ri siç është kartoni i gjelbër dhe nuk mundemi me pranuar sepse nuk na plotësojnë kushtet”.

“Ne nuk pranojmë dhe vetëm duam kthimin e vjetër sepse jemi pajtuar me atë çmim që na kanë ofruar. Kompanitë e sigurimeve as nuk i kanë kompensuar njerëzit siç duhet sepse edhe kur është bërë ndonjë aksident ata më shumë e kanë kompensuar fajtorin se ty në këtë rast”.

Ai shtoi se në qoftë se nuk kthehet vendimi mbrapsht ata do të vendosin tendat para BQK-së

“Ne nuk dimë që çfarë masa të marrim por mund të ndodhë që ti vendosim tendat e do të flemë para BQK-së deri në vendimin e vjetër, na shumë thjeshtë po duam me ju treguar këtyre institucioneve që në Kosovë ka njerëz që nuk lejojnë me luajtur me ndjenjat tona dhe me luajtur me xhepat tonë për shkak që ekonomia e vendit veç është tu ra dhe këta njerëz veç janë duke i rrit çmimet”.

“Pritet Sigurimi i një veture standarde shkon diku rreth 300 euro po flas brenda një viti dhe imagjinon çka heq një person kur ai e ka rrogën 200 euro. Ne kemi me u kanë zëri i çdo qytetari dhe nuk kemi kurrëfar interesi dhe ne duam me u kthyer vendimi i vjetër dhe nuk do të ndalemi”.

LEXONI EDHE:

Të ngjashme