Marrëveshja për linjën ajrore veprim i mençur nga Beogradi

Prishtinë | 21 Jan 2020 | 21:15 | Nga Besnik Pula

Marrëveshja për linjën ajrore Prishtinë-Beograd – veprim i mençur nga Beogradi. Sipas marrëveshjes, vetëm operatori që kalon nga Beogradi do të ketë të drejtë të fluturojë drejt Kosovës përmes hapësirës ajrore të Serbisë.

Me një fjalë, ky operator përfiton një avantazh që nuk e ka asnjë operator tjetër që fluturon nga aeroportet evropiane (p.sh., ato që fluturojnë nga Vjena, Frankfurti, Londra etj.), të cilët ende duhet ta zgjasin rrugën drejt Prishtinës duke anashkaluar hapësirën ajrore të Serbisë.

Dhe me këtë monopol të veçantë ajror, me shkurtimin e distancës që ndikon drejtpërdrejt edhe në koston e biletave, Beogradi shpejt do të shndërrohet në qendër kryesore që lidh Prishtinën me qarkullimin ajror ndërkombëtar.

Edhe më mirë – marrëveshja është bërë në emër të kompanisë Lufthansa. Mirëpo, marrëveshja e nënshkruar e lejon Lufthansën që këtë linjë ta operojë përmes “codeshare”, çka dmth se nuk është larg mendsh që operatori i kësaj linje të përfundojë të jetë “Air Serbia”. Kjo kompani (ose cilido operator tjetër), përmes avantazheve që i garantohen në këtë marrëveshje, do të arrijë të zotërojë një pjesë të mirë të tregut të fluturimeve drejt Kosovës.

Kjo marrëveshje assesi nuk është dashur të pranohet në këtë formë, pa pranim nga Serbia që ta hapë hapësirën e saj ajrore për TË GJITHA fluturimet drejt Kosovës. Por është po ashtu interesant se – nëse e lexon marrëveshjen e botuar – Serbia nuk është fare palë e saj.

Diplomatët amerikanë, duket se kanë negociuar në emër të NATO-s, kurse autoriteteve kosovare ia kanë dorëzuar dokumentin vetëm për vulë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme