MASHT premton investime në Komunën e Malishevës

Prishtinë | 23 Maj 2018 | 14:30 | Nga

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka qëndruar në Komunën e Malishevës, ku është pritur nga nënkryetari i komunës, Hajdin Berisha, drejtori i arsimit Blerim Thaçi dhe zyrtarë tjerë të qeverisë komunale, të cilëve u ka premtuar se përkrahja për komunën nuk do të mungojë përderisa Komunën e Malishevës e ka vlerësuar si komunë model për qeverisjen lokale.

Gjatë bisedës me udhëheqjen komunale, Bytyqi ka premtuar se krahas shumë ligjeve, përmes së cilave janë zgjidhur disa nga problemet që preokupojnë arsimin në Kosovë, tani janë duke u marrë edhe me zgjidhjen e problemit me mësimdhënës të cilët kanë probleme shëndetësore, me sëmundje të ndryshme malinje apo sëmundje tjera, të cilat ndikojnë në punën e tyre.

Gjithashtu, ministri dhe drejtori komunal i Arsimit kanë biseduar edhe për sistemin e arsimit para fillorë dhe organizmin dhe funksionimin e çerdhes publike. Sipas drejtorit Thaçi, nevoja për ndërtimin edhe të një çerdheje është shumë e madhe, pasi kërkesat janë të shumta, ndërsa sistemi i arsimit parafillor është i organizuar në të gjitha shkollat, edhe pse ka mungesë të mësimdhënësve adekuat.

Më pas, ministri i MASHT-it, Shyqiri Bytyqi, i shoqëruar edhe nënkryetari i Komunës Hajdin Berisha, kanë marrë pjesë në shënimin e ditës së shkollës në SHFMU “Hasan Prishtina” në Tërpezë, pjesë e së cilës ka qenë edhe ministri Bytyqi, si nxënës i kësaj shkolle.

Në këtë shënim festiv, ministri i Arsimit e ka përsëritur premtimin e tij se përkrahja për Malishevën në fushën e arsimit nuk do të mungojë, ndërsa i ka uruar nxënësit dhe mësimdhënësit me rastin e shënimit të 70 vjetorit të hapjes së shkollës në Tërpezë.

Ai ndau edhe kujtimet e tij me shkollë prej ku kanë dalë shumë kuadro që kanë kontribuar për vendin.

“Vendi ynë ka nevojë për energji të reja dhe dije, dhe ju nxënës, jeni ata që duhet ta shfrytëzoni këtë mundësi që keni sot, në mënyrë që nesër ti kontribuoni vendit, pasi këta mësues, e sidomos mësuesit veteran, kanë sakrifikuar dhe janë munduar për ne, që ne sot ti kontribuojmë vendit dhe ne duhet ta vazhdojmë këtë”, tha mes tjerash Bytyqi në porosinë e tij drejtuar nxënësve të kësaj shkolle.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme