MASHTI kërkon prova për shkeljen e Kushtetutës

Prishtinë | 14 Pri 2022 | 10:06 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Arsimit ka kërkuar që Gjykata Kushtetuese t’ia ofrojë provat në katër elementet në të cilat ka konstatuar se është bërë shkelje kushtetuese me vendimin e MASHTI-t për organizim të mësimit alternativ të përshpejtuar në Komunën e Kamenicës.

Si kryetar i Komunës, Qëndron Kastrati më 2019 kishte iniciuar reforma në arsim përbrenda Komunës, duke i mbyllur disa shkolla shkaku i numrit të vogël të nxënësve në to.

Si rrjedhojë, nxënësit e këtyre shkollave i kishte bartur në objekte të tjera, porse në pakënaqësi ndaj vendimit, prindërit e nxënësve kishte refuzuar që ta zbatonin. Pas kësaj, MASHTI pati vendosur që të organizohet mësimi alternativ i përshpejtuar, duke i rihapur shkollat e mbyllura.

Gjykata Kushtetuese e ka konstatuar këtë veprim si shkelje të Kushtetutës. Kushtetuesja vendosi që Ministria ka ndërhyrë në parimet e vetëqeverisjes lokale.

Të mërkurën, ministrja Arbërie Nagavci mbrojti vendimin e saj, ndërkaq vetëm një ditë më pas, këshilltari në MASHT, Valdrin Dervishaj, ka konfirmuar parashtrimin e kërkesës pranë Kushtetueses për qasje në provat që kjo gjykatë i ka vlerësuar si ndërhyrje të Ministrisë në kompetencat e Komunës së Kamenicës.

Ai ka thënë se ka kërkuar qasje në “Provat të cilat dëshmojnë se Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka organizuar mësim alternativ të përshpejtuar; Provat të cilat dëshmojnë se Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka angazhuar mësimdhënës shtesë për të organizuar mësim alternativ të përshpejtuar; Provat të cilat dëshmojnë se Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka lëshuar certifikata për nxënësit pas përfundimit të procesit të mësimor; Provat të cilat dëshmojnë se Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit shprehimisht ka caktuar vendin se ku do të organizohet mësim alternativ i përshpejtuar”.

Sipas Dervishajt, në shkresat e lëndës nga Gjykata nuk ka prova që dëshmojnë këto veprime. “Kemi kuptuar nga Aktgjykimi se ankuesi ka dorëzuar prova shtesë. Prandaj, kërkesa ka qëllim t’i sigurojë ato prova”.

Të ngjashme