Matic: Pogba është i lumtur në Man United

Prishtinë | 14 Kor 2020 | 14:46 | Nga Ekonomia Online

Mesfushori i Manchester Unitedit, Nemanja Matic, beson se bashkëlojtari i tij, Paul Pogba, do të qëndrojë në Old Trafford për një kohë të gjatë, pasi që thotë se francezi është i lumtur aty, përkundër problemeve që i ka pasur me lëndime.

Mesfushori serb është bërë pjesë e një partneriteti mbresëlënës të Manchester Unitedit në mesfushë, bashkë me Paul Pogban dhe Bruno Fernandes, duke e arritur një ecuri prej 18 ndeshjeve pa disfatë në të gjitha garat, transmeton Gazeta Express.

E ardhmja e Pogbas ka qenë shpeshherë në qendër të vëmendjes nga mediat, për shkak të komenteve nga agjenti i tij Mino Raiola, të cilat kishin ngjallur debate të shumta para se të niste sezonin 2019/20 dhe gjatë këtij sezoni.

Trajneri Ole Gunnar Solskjaer është shprehur i bindur se Pogba do ta nënshkruante një kontratë të re me Djajtë e Kuq dhe edhe Matic beson se bashkëlojtari i tij është duke e shijuar kohën e tij në klub.

“Mendoj se për momentin është i lumtur. Kur je i lënduar dhe jashtë fushës së lojës, njerëzit flasin. Për të do të ketë gjithmonë spekulime, por ai mund të bëjë çfarë  të dojë”, ka thënë Matic.

“Sapo u kthye në stërvitje me ne dhe filloi të luajë, mendoj se ai e ka dëshmuar se është i lumtur që po luan përsëri dhe ai është një djalosh i mrekullueshëm. Për mua është e rëndësishme që ai të qëndrojë sepse ai na ofron më shumë cilësi”.

“Ai sjell shumë cilësi në skuadër, edhe me personalitetin e tij. Natyrisht, ti nuk mund ta dish kurrë se çfarë do të ndodhë në jetë, por unë shoh që ai është i lumtur”.

“Uroj që ai të qëndrojë, e uroj këtë për të mirën e skuadrës. Ai është një djalosh i mrekullueshëm për skuadrën, të gjithë argëtohen përreth tij. Unë do të jem i lumtur ta shoh atë për një kohë të gjatë në Manchester United”.

Kontrata aktuale e francezit me Djajtë e Kuq përfundon verën e vitit 2021, mirëpo klubi e ka opsionin t’ia vazhdojë atij kontratën edhe për një vit tjetër, deri më 2022.

Të ngjashme