Nënkryetar i Aleancës Kosova e Re, njëherësh ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, thotë se partia të cilit i takon është e gatshme për zgjedhje, kurdo që të mbahet ato.
Në një prononcim për Ekonomia Online, Matoshi ka treguar se kjo parti nuk ka vija të kuqe me asnjë parti tjetër. Vijat e kuqe i vlerëson si “të dala mode”.
“Nuk mund të themi se kemi vija të kuqe, mundemi me pas përafrime ndoshta një harmoni më të mirë edhe programore edhe politike me subjekte të caktuara. Por mendoj që vijat e kuqe mendoj se janë çështje e dalë mode. Ne shohim shumë parti politike në Kosovë që i proklamojnë vijat e kuqe edhe në vazhdimësi kooperojnë bashkëpunojnë angazhohen subjekti për subjektin politik, bëjnë takime jashtë publikut, ndërsa për konsumin e jashtëm publik bëjnë vija të kuqe sa herë që kanë deklarime”, thotë Matoshi.
Nënkryetari i AKR-së, thotë se po planifikojnë që si parti të garojnë të vetëm në zgjedhje dhe të dalin para qytetarëve dhe ta marrin besimin e popullit, ndërsa për koalicione thotë se vendosin pas zgjedhjeve.
“Ne po përgatitemi po planifikojmë që të garojmë të vetëm në këto zgjedhje. Sidoqoftë zgjedhjet e kaluara kanë ndryshuar pak a shumë këtë mënyrën e garimit të subjekteve politike. Ne nuk mund ta përcaktojmë mënyrën se si do të zhvillohet i gjithë procesi zgjedhor nëse do të zhvillohet me koalicione ose nëse subjektet politike do të garojnë të vetme. Më ne rregull dhe më mirë do të ishte që secili subjekt të garojë i vetëm në këto zgjedhje të marr besimin e qytetarëve për aq sa i besojnë në këtë rast ta zëmë neve si AKR duke mos i ngatërruar koalicionet edhe që koalicionet e tjera të ndodhin pastaj pas procesit zgjedhor”, thotë ai.
Matoshi ka komentuar edhe dorëheqjen e kryeministrit Haradinaj, duke thënë se nuk i ka zënë të papërgatitur, pasi që ata edhe më parë janë deklaruar të gatshëm për zgjedhje.
“Edhe praktikat e kaluara kanë treguar që partitë politike duhet në çdo kohë të jenë gati për zgjedhje pavarësisht afateve që i përcaktojnë Kushtetuta që janë afate të rregullta zgjedhore kështu që, ne si subjekt politik nuk jemi të befasuar por e kemi thënë edhe ditë më parë edhe pak ditë para dorëheqjes së kryeministrit që si subjekt politik jemi shumë të gatshëm që të shkojmë në zgjedhje në cilën do kohë që mund të shpallen ato”, thotë ai.
Pas dorëheqjes së kryeministrit Haradinaj, të gjitha partitë politike janë shprehur të gatshme për zgjedhje, duke kundërshtuar mundësinë e krijimit të një qeverie teknike.