Në takimin e saj me kryeministrin bullgar Borisov, kryeministrja May theksoi se Ballkani do të jetë në agjendën e Britanisë së Madhe.
”Britania e vlerëson si të rëndësishëm Ballkanin Perëndimor dhe mirëpret preokupimin në ndërlidhjen me vendet evropiane “,deklaroi kryeministrja May.
Ajo vlerësoi rolin dhe kontributin e kryeministrit bullgar Borisov në tërheqjen e vëmendjes nga BE në lidhje me stabilitetin dhe zhvillimin e këtij rajonit të Evropës.
Tutje, ajo theksoi se me gjithë daljen nga BE, angazhimi i Londrës ndaj shteteve të Ballkanit Perëndimor do të mbetet, si dhe do të vazhdojë angazhimin në forcimin e të arriturave të deritashme.
Ndërkohë kryeministrja Mey paralajmëroi se në muajt në vazhdim, në Londër, do të mbahet takimi i liderëve të vendeve pjesëmarrëse të procesit të Berlinit, ku do të bisedohet, veç tjerash, edhe për sigurinë, transmeton RTK.
“Për ne stabiliteti dhe siguria në Ballkan është temë tejet e rëndësishme dhe diskutimet do të përqendrohen në ndërlidhjet, në kuptimin e transportit, energjisë, infrastrukturën digjitale, edukimit, etj, me synimin në përmirësimin e raporteve në mes të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor”, deklaroi kryeministrja britanike, Tereza May.