Nën patronatin e kryetarit të Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, të mërkurën është mbajtur “Festivali i Patates”, ngjarje e përvitshme, që ka për qëllim promovimin e patates, për kultivimin e të cilës njihet Vushtrria.
Kryetari i kësaj komune, Ferit Idrizi, tha se produktet e patates vushtriase po prekin tregjet botërore. Ai përmendi edhe përkrahjen që ka dhënë si Komunë për bujqit e kësaj ane.
“Sot jam i privilegjuar të hap Festivalin tradicional të patates, sepse tradicionale është edhe puna e patates në Vushtrri si një degë e bujqësisë që i sjellë përfitime jo vetëm qytetit tonë por sot patatja ka arritur si një kulturë që ka prekur tregjet ndërkombëtare, ku produktet e patates sot eksportohen në shumë vende të botës”, tha ai
“Sivjet bujqit vushtrrias e patën një vit sfidues për shkak të kushteve klimatike atmosferike për shkak të reshjeve të vazhdueshme të shiut. Kemi subvencionuar ujitjen e tokave bujqësore me 50 për qind”, tha ai.
E ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, tha se përkrahja për bujqit në Kosovë, nuk do të mungojë.
Ai përmendi edhe ndarjen e mjeteve në kuadër të subvencioneve.
“Bujqit e Vushtrrisë njihen edhe për zellin, angazhimin e tyre për pasionin që e kanë për bujqësinë në përgjithësi. Përveç programe e direkte, kemi dalluar pataten në mesin e katër kulturave më strategjike në sektorin e bujqësisë në vendin tonë. Duke rritur nivelin e pagesave direkte për 118 për qind, duke përfshirë këtu edhe subvencionimin e naftës e plehërimin pranveror”.
“Krejt kjo me qëllim të sigurimit të një rezerve ushqimore tek çdo kultivues, duke pasur parasysh ngjarjet e pandemisë dhe efektin e agresionit rus në Ukrainë, që kanë ndërprerë disa zingjirë të furnizimit dhe kanë ndikuar në rritjen çmimeve të plehërave dhe të farërave”, tha Peci.
“Mbetemi të përkushtuar që si për Programin e Subvencioneve ashtu edhe për atë të granteve të vazhdojmë me mbështetjen ndaj bujkut tonë punëtor, mbështetje kjo e cila po shpërfaqet konkretisht me rritjen e sipërfaqeve të mbjella me kulturat vjeshtore, e duke pasur besim se kjo do të reflektohet edhe me të mbjellat pranverore. Për vitin 2023 kemi paraparë buxhetin më të madh ndonjëherë për bujqësinë në Kosovë, i cili do të jetë 87 milionë euro vetëm nga buxheti i Republikës së Kosovës, ndërsa me mbështetjen edhe të partnerëve e organizatave ndërkombëtare, ky buxhet do të arrijë deri në 100 milionë euro”, tha para të pranishmëve, Ministri Faton Peci.
Ai gjithashtu i njoftoi të pranishmit në këtë manifestim tradicional se përmes investimeve kapitale, komuna e Vushtrrisë këtë vit është mbështetur me 196,021.50 Euro për rehabilitimin dhe ndërtimin e sistemit të ujitjes në fshatin Samadrexhë.
Në fund u ndanë mirënjohje për kontribuesit e bujqësisë në këtë komunë.