Mbahet mbledhja komemorative për Rushit Ramabajën, Kurti: Fjala e tij la gjurmë të thella në kulturën dhe ndërgjegjen tonë kombëtare

Prishtinë | 04 Jan 2026 | 12:57 | Nga Ekonomia Online

Në mbledhjen komemorative për Rushit Ramabajën, Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kujtuar figurën e shkrimtarit, gazetarit dhe intelektualit të shquar, duke theksuar rëndësinë e tij për kulturën dhe ndërgjegjen kombëtare, raporton Ekonomia Online.

Ai përmendi edhe angazhimin dhe ndikimin e Ramabajës në vend.

“Jemi mbledhur për të kujtuar dhe nderuar një njeri, fjala e të cilit la gjurmë të thella në kulturën dhe ndërgjegjën tonë kombëtare. Largimi nga jeta i Rushit Ramabajës në moshën 77-vjeçare na prek thellë sepse me të humbim jo vetëm një poet, gazetar e publicist të shquar, por një zë të rrallë intelektual që për dekada i qëndroi besnik fjalës së shkruar. Rushit Ramabaja i përkiste brezit të intelektualëve që u formuan herët dhe u provuan e sprovuan. I lindur në Marec të Prishtinës, ai ia kushtoi pjesën më të madhe të jetës së tij gazetarisë dhe letërsisë, duke qenë për shumë vite pjesë e gazetës “Rilindja”, aty ku fjala kulturore dhe kritike kishte peshë dhe përgjegjësi. Edhe pas luftës ai vazhdoi të shërbej në radiogazetari, duke mos u shkëputur asnjëherë nga misioni i reflektimit publik e politik,” tha Kurti.

Kurti tha se me largimin e Ramabajës, Kosova humb një mendje të angazhuar të kulturës.

“Largimi i Rushit Ramabajës na pikëllon sepse me të humbim edhe një ndërgjegje të ndjeshme dhe një mendje të angazhuar të kulturës sonë dhe të socio-politikës. Rushit Ramabaja ishte prej atyre që fjalën nuk e shihte si zbukurim, por si përgjegjësi; ai shkroi jo për të qenë i zhurmshëm, por i vërtetë,” shtoi ai.

Ndërsa Sadri Ramabaja, tha se humbja e të Rushit Ramabajës është plagë për kulturën shqiptare.

“Sot po ndahemi nga njeriu ynë i dashur e i shtrenjtë, Rushit Ramabaja, një njeri jashtëzakonisht i dashur për të gjithë ne, një personalitet i rrallë i letrave shqipe dhe një nga shkrimtarët më të njohur. Shkuarja e tij në amshim nuk është vetëm një humbje për ne si familje, as dhimbje personale e imja; ajo është plagë e hapur për kulturën shqiptare, plagë që do të mbetet e tillë për kohë të gjatë, edhe për mendimin kritik dhe për fjalën e ndershme që Rushiti e mbrojti deri në frymën e fundit. Me largimin e tij, letërsia shqipe humbi një zë të jashtëzakonshëm, ndërsa shoqëria humbi një ndërgjegje të kthjellët të mendimit sociopolitik”, tha ai.

Rushit Ramabaja kishte lindur më 20 nëntor të vitit 1948, në fshatin Marec të Prishtinës. Nga fillimvitet ’70, ai ndërtoi një karrierë prej gazetari në gazetën e përditshme “Rilindja”, për të cilën punoi si gazetar dhe redaktor i kulturës, nga viti 1972 deri më 2001. Në periudhën pas çlirimit të Kosovës, Rushit Ramabaja e vazhdoi karrierën e tij si gazetar në radiogazetari, duke punuar në Radio Kosova. Në vitin 2018, ai ishte laureuar me Çmimin “Azem Shkreli” për vepër jetësore, nga Ministria e e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës.

Vepra e tij letrare dhe publicistike përbëhet nga mbi 20 libra mes të cilëve romane, vëllime poetike dhe drama. Ndër to janë edhe këto vepra: “Mareci i Shpresës së Mirë dhe rrëfime të trishta për golgotën e kolonave të Gallapit në Grashticë, Makoc e Llukar”; “Kangjella e Damastionit”; “Një gomar në Parlament”; “Rrëmbimi i vajzës së këngës”; “Amazanat në prillin e pushtimeve”; “Shtëpia ku nuk vdiset (Rekuiem për Xheladin Hanën)”: romani “Gruaja e Jezusit”; vëllimi poetik në shqip dhe greqisht “Euridika në mollën e ndaluar” etj. Ndër mbi 20 veprat e tij, do të jetojë edhe “Pema e misterit” për të cilën kishte shkruar: “Jusuf Gërvallës dhe të gjithë shokëve të mi të ndjerë”. Disa e llogaritën këtë kryeveprën e tij e disa vetë jetën e tij.

Të ngjashme