Ekonomia Online
FUNDIT

Edhe sot protestë kundër vendimit të Speciales ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Edhe sot protestë kundër vendimit të Speciales ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka thirrur protestë gjithëpopullore për sot në orën 12:00 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në kundërshtim me vendimin dënues të Gjykatës Speciale ndaj katër ish-krerëve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Nënkryetari i kësaj organizate, Gazmend Syla, ka bërë të ditur se protesta do të jetë paqësore dhe […]

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka thirrur protestë gjithëpopullore për sot në orën 12:00 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në kundërshtim me vendimin dënues të Gjykatës Speciale ndaj katër ish-krerëve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

Nënkryetari i kësaj organizate, Gazmend Syla, ka bërë të ditur se protesta do të jetë paqësore dhe ka paralajmëruar se nuk do të ketë vend për persona të maskuar apo për akte dhune.

“Protesta jonë që organizohet nesër është paqësore, jo e dhunshme, pa maska, me fytyrat tona”, ka thënë Syla të enjten në një konferencë për media.

Ai ka kundërshtuar vendimin e Speciales ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit, duke thënë se përmes tij është dënuar lufta e UÇK-së për çlirim.

“Asnjë vendim nuk mund ta rishkruajë luftën tonë çlirimtare apo t’i njollosë ata që luftuan për liri. Që nga fillimi e kemi quajtur këtë gjykatë politike dhe procesin të pa-drejtë, gjë që sipas nesh, u dëshmua edhe dje”, ka deklaruar Syla.

Thirrja për protestë vjen një ditë pas protestës së zhvilluar në Prishtinë menjëherë pas shpalljes së aktgjykimit, ku pati edhe persona të maskuar dhe u dëmtuan xhamat e ndërtesës së Qeverisë.

Ndërkohë, Organizata e Veteranëve ka prezantuar edhe një platformë për veprimet që synon t’i ndërmarrë deri në përfundimin e procesit në shkallën e dytë.

Në mesin e kërkesave është amendamentimi ose shfuqizimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara, si dhe një debat i posaçëm parlamentar dhe shqyrtim juridik lidhur me këtë ligj.

“Rivlerësimi duhet të trajtojë edhe raportin ndërmjet pretendimeve që ishin pjesë e procesit që çoi në krijimin e mekanizmit, përfshirë raportin e Këshillit të Evropës, trajtimin e gjerë të organeve, mandatit të gjerë që iu dha Dhomave dhe rezultateve konkrete të hetimeve dhe proceseve”, ka thënë nënkryetari tjetër i organizatës, Fatmir Sopi.

Platforma parasheh gjithashtu mbështetje të plotë juridike dhe financiare për proceset në Apel.

Gjykata Speciale në Hagë të mërkurën dënoi Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin me nga 25 vjet burgim, Kadri Veselin me 18 vjet dhe Rexhep Selimin me 13 vjet burgim.

Të katër ish-krerët e UÇK-së u shpallën fajtorë për krime lufte, ndërsa u shpallën të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit.

Për protestën e sotme, Ambasada e SHBA-së në Kosovë ka bërë thirrje që të shmanget sheshi “Skënderbeu” dhe zonat përreth, për shkak të mundësisë për grumbullime të mëdha, mbyllje rrugësh dhe vështirësi në qarkullim.

Edhe Policia e Kosovës u ka bërë thirrje protestuesve të respektojnë udhëzimet e zyrtarëve policorë, të mos mbajnë maska dhe të mos hedhin mjete apo gjësende të forta.

Të ngjashme