Mbahet tryeza e shëndetit oral: 90% e fëmijëve në Kosovë vuajnë nga prishja e dhëmbëve

Prishtinë | 21 Mar 2022 | 15:44 | Nga Ekonomia Online

Është mbajtur tryeza e diskutimit për rëndësinë e shëndetit oral e organizuar nga Qendra për Stomatologji Preventive me krye Besa Begun – Protodente/Higjeniste dentare.

Shëndeti oral në periudhën e fëmijërisë luan një rol mjaft të rëndësishëm dhe ndikon në faza te mëtejshme të jetës. Për këtë arsye problemet që mund të shfaqen në këtë periudhë duhet të parandalohen dhe zgjidhen në mënyrë profesionale, ishte thelbi i këtij diskutimi.

Fatkeqësisht në Kosovë një numër shumë i ulët i fëmijëve gëzojnë shëndet të mirë oral, pjesa tjetër kanë probleme të theksuar me karies.

Sipas të dhënave të fundit në Komunën e Prishtinës fëmijët të moshës 0-6 vjeç rreth 25% kanë probleme me dhëmnë, fatkeqësisht në moshën më të madhe e që përfshihen fëmijët e klasave nga 5 deri në të 9, 86% prej tyre kanë problem tejet të mëdha me dhëmb – raporton Syri Kosova.

Besa Begu, e cila ishte edhe nikoqire e kësaj tryeze tha se rëndësia e higjienës orale është tejet e madhe, por shifrat të cilat dalin nga studimet që ajo ka bërë janë alarmante sa i përket prishjes së dhëmbëve, e që përfshin rreth 90 përqind të fëmijëve në Kosovë kanë probleme të theksuar me karies.

Fëmijët deri në moshën 6-vjeçare kanë në gojën e tyre vetëm dhëmbët e qumështit. Nga mosha 6-vjeçare fillon dhe dalja e dhëmbit të pare pra dhëmbit nr. 6.

Pas kësaj periudhe dhëmbët e qumështit fillojnë t’i lënë vendin dhëmbëve të përhershëm. Për shkak të moshës së vogël, aftësisë mekanike të pamjaftueshme, përbërjes delikate dhe strukturës së hollë të dhëmbëve në këtë moshë humbja dhe prishja e dhëmbëve për shkak të kariesit është shumë e dukshme, por edhe mos pastrimi në kohë po bënë që të kemi këto shifra, u tha gjatë kësaj tryeze.

E ftuar në këtë diskutim ishte edhe pedodentia Teuta Kutollovci, njëherit dekane në Rezonacë ndau me të pranishmit sfidat që has çdo ditë në klinikën e Stomatologjisë në Prishtinë.

“Është dëshpëruese të shohësh që 22 vite pas lufte kemi një gjendje shqetësuese sa i përket shëndetit oral tek fëmijët. Mos kujdesi në kohë, por edhe mos informimi nga ana e prindërve për rëndësinë e mbajtjes së shëndetit oral, është problematika kryesore. Nëse do të ktheheshim në kohë, dikur në Kosovë secila shkollë kishte ordinancë mjekësore e që aty bëhej preventiva e parë për të mos ardhur deri tek prisha e dhëmbit, tani të gjitha këto janë mbyllur” shprehet dr.Kutollovci, raporton Syri Kosova

Në anën tjetër sipas drejtoreshës së Arsimit në Prishtinë, Besiana Musmurati kontrollet periodike që bëhen nëpër shkolla nxjerrin në pah se çdo i 3 fëmijë ka probleme me dhëmbët.

Kurse drejtoresha e departamentit të mjekësisë sociale në IKSHPK, Merita Berisha foli për mënyrën se si ky institucion po punon në ndërtimin e strategjisë së përgjithshme të shëndetit publik, e që në fokus pritet të jetë edhe shëndeti oral.

Nga kjo tryezë u nxorën shumë rekomandime dhe udhëzime se si të veprohet në mënyrë që të kemi përmirësim të gjendjes.

U vendos që të punohet një udhëzim e protokoll i ri për futjen nëpër klinika dhe qendra të mjekësisë familjare si obligative këshillimin për shëndetin oral, kryesisht tek fëmijët.

Pjesë në këtë tryezë ishin përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësosë znj. Sanije Kicmari-Arifi, Arbrije Prenaj, stomatolog, pedodant, specialist dentare dhe student të rinj që tashmë kanë vendosur të jenë në shërbim të qytetarëve.

Të ngjashme