Afati për legalizimin e armëve në Kosovë ka filluar në muajin dhjetor dhe pritet të zgjasë gjashtë muaj.
Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilët edhe e kanë filluar këtë proces, vendimi është nxjerrë me qëllim të krijimit të një ambienti më të sigurt në Kosovë.
Zëvendësministri i MPB-së, Izmi Zeka, tha se i gjithë procesi është bërë mbi ligjin për legalizim të armëve.
“Andaj, me këtë proces Republika e Kosovës, MPB, synon që të sigurojë mjedis të sigurt, në të cilin armët e vogla dhe të lehta do të futen nën kontroll dhe nuk do të paraqesin rrezik serioz për sigurinë e brendshme dhe atë rajonale për të gjithë qytetarët”, tha Zeka.
Ndërsa, njohësit e çështjeve të sigurisë në Kosovë e kanë përkrahura vendimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, duke e cilësuar këtë si të qëlluar.
Mentor Vrajolli, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, tha për Radio Kosovën së është bërë analiza rreth këtij vendimi, i cili është nxjerrë me qëllim të zvogëlimit të numrit të armëve në dispozicion të qytetarëve.
Ndërsa, sa i përket sigurisë së përgjithshme, Vrajolli ka një shpjegim:
“Në Kosovë ekziston një numër i madh i armëve ilegale që janë prezentë. Mendoj që vendimi për legalizim është pozitiv, për faktin që edhe statistikat e krimeve të ndryshme tregojnë se edhe armët legale përdoren për kryerje të ndonjë krimi”, tha Vrajolli.
Sipas Vrajollit, edhe pas legalizimit të armëve, qytetarët do t’i kenë kriteret e përcaktuara për përdorimin dhe mbajtjen e tyre.
“Legalizimi i armëve nuk nënkupton domosdo legalizim për të mbajtur armë, kryesisht legalizimi ka të bëjë me rregullimin e formës se si qytetarët mund t’i kenë në posedim këto armë, por jo t’i bartin me vete, për arsye se me ligj hapësira që qytetarët mund të bartin armë, pa marrë parasysh a janë të legalizuara apo jo, është shumë e limituar”, tha ai.
Sipas statistikave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, që nga viti 2008 në Kosovë janë konfiskuar mbi 40 mijë armë dhe mbi 10 mijë të tjera janë shkatërruar.