“Mbi 10 zyrtarë policorë të Podujevës janë në veri të Kosovës”

Prishtinë | 22 Dhj 2022 | 08:54 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ua ka dedikuar një postim në Facebook policëve që po shërbejnë në veriun e Kosovës në kohën kur situata atje është tensionuar.

“Policia e Kosovës me qëndrueshmërinë e tyre në veri të vendit, po tregojnë përkushtim maksimal në misionin e tyre për ofrimin e sigurisë në mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës”, ka shkruar ai.

Bulliqi me këtë rast ka njoftuar se më shumë se dhjetë policë të qytetit që ai e drejton po shërbejnë në pjesën veriore të vendit.

“Nga Stacioni Policor në Podujevë i kemi mbi 10 zyrtarë policorë që po shërbejnë në veri të vendit për çdo ditë, gatishmëria dhe morali i lartë i tyre është për tu admiruar”.

“Ata kanë gjithë mbështetjen time dhe të qytetarëve llapjanë, me vullnetin e dashurinë që po tregojnë ndaj atdheut meritojnë respektin maksimal të secilit nga ne”, thuhet tutje në postimin e kryetarit të Podujevës.

Shkrimin e përmbyll duke uruar që kjo situatë të tejkalohet sa më shpejt dhe “veriu i vendit t’i kthehet normalitetit”. 

Të ngjashme