Në ditën ndërkombëtare të zjarrfikësve, Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca e Prishtinës, ka shprehur mirënjohje për zjarrfikësit.
Përmes një postimi në Facebook, kjo drejtori bëri të ditur se gjatë vitit 2025, Zjarrfikësit e Prishtinës kryen plot 3020 intervenime, çdo ditë, në çdo orë, pa dallim moti apo rreziku.
“Nga zjarret në banesa e biznese, te aksidentet në rrugë, përmbytjet apo ndërhyrjet teknike, ata janë gjithmonë aty, të heshtur, profesionalë dhe të vendosur. Në Kryeqytet, puna e Brigadës Profesionale të Zjarrfikësve nuk matet vetëm me numra, por me jetë të shpëtuara, me familje të mbrojtura dhe me rreziqe të parandaluara. Çdo intervenim i tyre është një betejë me kohën, ku sekondat bëjnë dallimin mes jetës dhe tragjedisë”, thuhet në njoftim.
Ndër të tjera, drejtoria potencoi se të njëjtit punojnë në kushte të rënda dhe shpesh të paparashikueshme, me përkushtim maksimal dhe disiplinë të lartë si dhe me një ndjenjë të fortë detyre ndaj qytetarëve.
“Por mbi të gjitha, ata punojnë me zemër. Ky profesion nuk është vetëm zanat, është mision. Është vendim për të qenë çdo ditë në shërbim të të tjerëve, edhe kur kjo nënkupton rrezik personal”, thuhet në njoftim.