Mblidhet Komiteti i Arsimit, vlerësohet transparenca e DKA-së dhe diskutohen sfidat e arsimit lokal

Prishtinë | 08 Pri 2019 | 15:02 | Nga Ekonomia Online

Ditë më parë, në ambientet e Drejtorisë së Arsimit, u mbajt takimi i Komitetit të Arsimit, Kulturës, Rinisë dhe Sportit me ç’rast u diskutuan një varg çështjesh dhe iniciativash që do të ndërmerren nga kjo trupë.

Kryesuesja e këtij Komiteti, Flora Sejdiu Abdullahu paraqiti pikat e rendit të ditës që ishin zhvillimi i procesit edukativo-arsimor në Ferizaj dhe siguria në shkollë. Nga të pranishmit pati diskutime të shumta lidhur me këto dy pika duke e vlerësuar të domosdoshme rritjen e masave për sigurinë në shkollë dhe vlerësuar transparencën e Drejtorisë së Arsimit sa i përket konkurseve dhe gjithë mbarëvajtjes së arsimit në nivelin lokal.

Drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Afrim Llabjani i cili mori pjesë në këtë takim të Komitetit njoftoi për rrjedhën e punës në këtë drejtori, shfaqi pikëpamjen e përgjithshme të progresit në arsimin lokal duke u specifikuar në investimet kapitale për infrastrukturën shkollore, gjendjen e objekteve dhe hapësirave shkollore, trajnimet e stafit arsimor si dhe menaxhimin administrativ-financiar të institucioneve shkollore në planin lokal. Drejtori Llabjani ofroi gjithë gatishmërinë e tij dhe qeverisjes lokale që me bashkëpunimin me këtë trupë të rritet cilësia në mësime dhe të arrihen objektivat e punës së Drejtorisë së Arsimit në Ferizaj. Ai vuri theksin tek standarti i ri i vendosur nga kjo qeverisje në fushën e transparencës në arsim që ka rritur dukshëm efikasitetin në punë të punonjësve dhe ka ofruar mundësinë kuadrove profesioniste të jenë pjesë e skemës së mësimdhënësve ferizajas, praktikë kjo që nuk ishte zbatuar më parë.

Kryesuesja e Komitetit, Flora Sejdiu Abdullahu falënderoi të gjithë anëtarët e kësaj trupe për kontributin në përmirësimin dhe avancimin e arsimit ferizajas, duke garantuar bashkëpunim të gjerë me Drejtorinë e Arsimit.

Të ngjashme