Në një kafene, një zonjë në momentin që kamarjeri po merrte porosinë i tha shoqes së vet: mbrëmë nuk e ndeza fare televizionin. Nuk doja të shikonin lajmet me ato tmerret!
Nëse ndodh ndonjë gjë e ngjashme edhe sot, me shumë gjasë kjo zonjë, që nuk është e vetme, sërish nuk do të ndezë televizionin.
Ngjarjet e dy ditëve të fundit shqetësojnë këdo, dhe sidomos komunitetet ku kanë jetuar viktimat. Si të tilla nuk shtrohet pyetja: Pse i raportojnë gazetarët? Po si i raportojmë?
Pothuaj në të gjitha këto raste viktimat bëhen publik për herë të parë. Faza e parë e raportimit i ngjan një gare 100 metra ku nguti për të qenë i pari, lë pas gjithë konsideratat e tjera.
Në kohën dixhitale, ky raportim bëhet edhe më delikat për shkak të shpejtësisë me të cilën realizohet copy-paste i një lajmi. Dhe gara e re është: ca klikime më shumë.
Për disa klikime më shumë- bën që të harrosh që viktima ka të drejtë për privatësi si kushdo tjetër.
Për disa klikime më shumëi — bën të harrosh që viktima nuk është person publik dhe si i tillë ka më shumë të drejtë për privatësi.
Për disa klikime më shumë- bën që në fazën e kërkimit dhe më tej të raportimit, të mbizotërojë kurioziteti sëmurë mbi raportimin me fakte dhe kontekstual.
Për disa klikime më shumë — bën që të rendësh pas bujës dhe të kesh harruar se edhe viktima është njeri.
Për disa klikime më shumë bën të harrosh që diçka e ngjashme mund të ndodhë në të ardhmen ty, apo të afërmëve të tu.
Për disa klikime më shumë — harron se çdo individ ka jetën e tij të pavarur nga anëtarët e tjerë të familjes apo kushërinjtë e parë dhe të shtatë.
Për disa klikime- Harrohet se raportimi i pakujdesshëm i ngjarjeve shumë të rënda, bën që kjo situatë të përsëritet sërish. (Efekti Verter në raportim)
Për disa klikime më shumë — titulli lajmit rrallë ndodh të ketë lidhje me tekstin që pretendon se i prin.
Për disa klikime më shumë- harron që ka një dallim mes filmave horror dhe raportimit të ngjarjeve të rënda.
Dikur gazetarët krahasoheshin me pëllumbat që çojnë lajmet nga një kënd në tjetrin. Sot, për fat të keq sidomos në ngjarje të rënda, më shumë i ngjajnë hijenave.
Qytetarë si zonja që përmenda në fillim e kanë gjetur zgjidhjen. Zgjidhja nuk është tek mos rapotimit. Zgjidhja është te përmbajtja dhe vetëpërmbajtja.