Mbrojtja e të drejtave të pacientëve, mbetet ende sfidë

Prishtinë | 17 Tet 2016 | 13:16 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shoqata e të Drejtave të Pacientëve të Kosovës (PRAK) në bashkëpunim me UNDP-në, kanë organizuar konferencën rajonale me temë “Mbrojtja e të drejtave të pacientëve-sukseset dhe sfidat”.

Në këtë konferencë që është e para e këtij lloji në Kosovë, u tha se ka për qëllim të prezantojë praktikën e mbrojtjes së të drejtave të pacientëve në vendin tonë dhe të mundësojë shkëmbimin e përvojave mes vendeve të rajonit në fushën e mbrojtjes së të drejtave të pacientëve.

Duke përshëndetur punimet e kësaj konference, Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani, tha se ajo paraqet një përvojë të re në relacionet midis pacientëve, përkatësisht shoqatës që mbron të drejtat e tyre me institucionet dhe qytetarët, ndërkohë që theksoi faktin se MSh ka krijuar hapësirë që PRAK të jetë e kyçur aktivisht në mekanizma të shumtë institucionalë shëndetësor, për të fuqizuar të drejtat e pacientëve dhe për të siguruar trajtimin sa më të mirë të tyre me rastin e marrjes së shërbimeve shëndetësore.

Ministri tha se përveç legjislacionit, Ministria ka krijuar edhe mekanizma lehtësues për sigurimin e të drejtave të pacientëve, forma të reja të komunikimit me ta dhe me përfaqësuesit e tyre, po angazhohet të rris kapacitetet inspektuese dhe monitoruese. “Kjo do të mundësojë të rritet transparenca dhe të zhvillohet një komunikim më i mirë me qëllim që pacientët të jenë të kyçur edhe në vendimmarrjen dhe hartimin e politikave në shëndetësi.

“Punëtorët shëndetësorë janë të punësuar në institucionet shëndetësore për të dhënë shërbime për pacientët. Derisa nuk e kuptojmë që këto institucione janë për pacientin, atëherë nuk do të jemi në gjendje të japim maksimumin për pacientin”, ka thënë ministri Rrahmani.

Drejtori i SHSKUK-së, Curr Gjocaj, tha se përveç krijimit të një legjislacioni adekuat, ku të drejtat e qytetarëve dhe të profesionistëve shëndetësor në kujdesin shëndetësor janë definuar mirë, institucionet shëndetësore i kanë ofruar qasje PRAK-ut me qëllim që të bashkëpunohet për realizimin e të drejtave të pacientëve në Kosovë.

Kurse, Besim Kodra, përfaqësues i PRAK, ka bërë një prezantim të zhvillimit të kësaj shoqate prej themelimit të saj më 2013 duke theksuar se, fakti që institucionet shëndetësore (MSh dhe ShSKUK) kanë pranuar që një organizatë e pavarur të jetë edhe fizikisht brenda tyre, tregon për një bashkëpunim të mirë, por që për këtë organizatë tek tani fillon puna e madhe, pasi që, monitorimi i deritanishëm prej tyre tregon se janë identifikuar probleme të shumta si mungesa e barnave, kushtet higjienike jo adekuate në nivele të ndryshme, listat e gjata të pritjeve, gabime mjekësore dhe aparaturë jo adekuate, të cilat ndikojnë në (mos) realizimin e plotë të drejtave të pacientëve në Kosovës.

Me prezantime të ndryshme rreth të drejtave të pacientëve, rëndësisë së përfshirjes së pacientëve në kujdesin shëndetësor, fuqizimin e rolit të tyre, mbulimin universal shëndetësor dhe rolit të pacientëve në sistemin shëndetësor, ka pasur disa prezantime nga Dula Rusinoviq Sunara nga Kroacia, Selena Imerovic nga Forumi Evropian e i Pacientëve, Skënder Syla (OBSh) dhe prezantues të tjerë.

Në këtë konferencë po marrin pjesë përfaqësues të Shoqatave të pacientëve nga Kroacia, Mali i Zi, Shqipëria, Serbia , Institucionet Evropiane që merren me të drejtat e pacientëve, (Rrjeti i shoqatave të pacientëve të Evropës ACN, Forumi Evropian i Pacientëve EPF) si dhe Institucionet e Kosovës MSh, Institucioni i Avokatit të Popullit, drejtorët e spitaleve, Odat mjekësore, Shoqatat e pacientëve në vend, etj.

Konferenca organizohet në kuadër të Projektit të Protektorit (zyra e ankesave të pacientëve) i cili zhvillohet nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë në bashkëpunim me UNDP dhe Ministrinë e Shëndetësisë.

Të ngjashme