Bashkimi Evropian dhe UNDP-ja kanë organizuar punëtori për trashëgiminë kulturore në Prishtinë. Në punëtori u mblodhën të rinjtë e moshës 16 deri 25 vjeç për të inkorporuar teknikat projektuese të të menduarit për të pajisur pjesëmarrësit me njohuri që të angazhohen në trashëgiminë kulturore në një mënyrë inovative.
Po ashtu pjesëmarrësit patën rastin të mësojnë si të hartojnë zgjidhjet e tyre për mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore dhe si t’i zbatojnë ato në veprim.
Aty u theksa se mbrojtja e trashëgimisë kulturore u takon të gjithëve.
Për të treguar rreth arkitekturës dhe asaj se çka do të thotë multietnicitet dhe tolerancë, të rinjve të Prishtinës u foli i pari i kryeqytetit, Shpend Ahmeti.
Kryetari Ahmeti tha se fuqia e Kosovës janë vetë potenciali i rinisë që ajo mbanë në vete.
“70% e kosovarëve janë më të rijnë se 35 vjet dhe për zgjedhjet e reja kemi rreth 140 mijë qytetarë të cilët tashmë janë votues të rijnë, e fuqia votuese dhe fuqia politike është tek të rinjtë”, ka thënë Ahmeti.
Gjithashtu ai ka treguar që fjala multietnik dhe tolerancë nuk i pëlqejnë.
“Fjala multietnik nuk më pëlqen, me fjalën etnicitet më duket sikurse që jemi vetëm për me luftu, sepse mua si kryetar i komunës më pëlqen të flas për komunitetet, sepse serbët dhe shqiptarët e Kosovës kanë shumë të përbashkëta. E multietniciteti shpesh edhe na ndanë”, ka shtuar kryetari Ahmeti.
Duke folur për tolerancën, Ahmeti ka thënë se “nuk mjafton toleranca ne duhet të pranojmë njëri tjetrin”.
Sa i përket pjesës së trashëgimisë kulturore ai ka thënë se kjo u takon të gjithëve.
“Prishtina është vend interesant, tri xhami janë në një hapësirë më të vogël se 1000 m2. Kisha Serbe nuk është veç kishë, por është objekt i vjetër që tregon për kulturën e popullit që ka jetuar në Kosovë. Paraja e rrezikoj trashëgiminë kulturore, duhet me luftu çdo ditë për një familje që e ka trashëguar një trashëgimi të lashtë. Ne në Prishtinë kemi monumente të kohërave të komunizmit për shembull përmendorja e ‘Bashkim-Vllaznimit’ për të cilën kam presion çdo ditë për ta rrëzuar. Kurse arkitekturën e pasluftës unë e quaj arkitekturë të egër”, Ka thënë Ahmeti
Kurse menaxheri i projektit “Ndërtimi i besimit ndërmjet mbrojtjes kulturore”, Astrit Muhaxheri, ka treguar që ky projekt ka një vlerë prej 1 milionë 560 mijë euro.
Ai gjithashtu ka treguar që mbrojtjen e monumenteve kulturore në Kosovë e bënë policia e Kosovës, njëherësh edhe si institucioni më i besueshëm i qytetarëve.
Pasdite, rreth orës 15:00 pjesëmarrësit do të vizitojnë Muzeun Etnologjik.