Mbyllet kjo rrugë për qarkullim të automjeteve, për shkak të punimeve

Prishtinë | 30 Maj 2018 | 17:36 | Nga

Të gjithë drejtuesit e automjeteve njoftohen se që nga dita e enjte (31.05.2018), do të mbyllet për qarkullim rruga “Shala e Bajgorës”, që përfshin segmentin e rrugës kryesore për hyrje në Mitrovicë, nga hekurudha afër urës kryesore mbi lumin Sitnicë e deri tek varrezat ortodokse, përkatësisht deri në kyçje në Magjistralen e Ibrit (Mitrovicë-Prishtinë).

Mbyllja e rrugës bëhet për shkak të asfaltimit të saj dhe do të zgjas deri në shtruarjen e gjithë këtij segmenti rrugor.

Drejtuesit e automjeteve për të hyrë në Mitrovicë, mund ta shfrytëzojnë rrugën që kalon nëpër Tunelin e Biarit e që nga magjistralja ndahet në Shupkofc.

Ndërkaq, ata që kanë punë në Universitetin “Isa Boletinit”, mund të shfrytëzojnë rrugën që në Shupkofc ndahet nga magjistralja dhe kalon nëpër hyrjen e dytë të kompleksit industrial të Trepçës dhe çon në ndërtesën e Universitetit.

Kompania që i kryen punët “Haxha-Com”do të vendosë sinjalizimin përkatës, për të mos lejuar qarkullimin e automjeteve që të pengojnë asfaltimin e rrugës.

Të ngjashme