Bashkimi Europian po ripërsërit një mbylljeje të dytë të kufijve me Shqipërinë duke na çuar drejt një izolimi, në rastin më të mirë, deri në fund të korrikut, për shkak të infektueshmërisë së lartë nga Covid -19, në raport me popullsinë.
Nëse kur kjo ndodhi për herë të parë, mediat pranë qeverisë dhe eksponentë të saj filluan të thërrasin për teori komploti, që na diferenconin me pa të drejtë nga fqinjët tanë, këtë herë, kur vendimi nga Bkukseli po konfirmohet, duket se tonet janë më të ulëta për të kundërshtuar dështimin e shtetit shqiptar në luftën ndaj pandemisë.
Situata e sotme fatkeqësisht nuk ka asgjë të përbashkët me historinë e suksesit, për përballimin e këtij armiku, që filloi të propagandojë Rama aty nga mesi i majit dhe që arriti kulmin e saj me deklaratën e atij deputetit rilindas që shpalli pa pikë droje, se falë punës së qeverisë ne jemi sot edhe më mirë se Italia dhe Gjermania.
Vetëm sa për të pasur një ide të këtij absurditeti, në të njëjtën ditë që Shqipëria kaloi për herë të parë shifrën e mbi 100 të infektuarve të rinj, vende si Italia apo Gjermania me 30 fishin e popullsisë sonë, deklaronin mes 150 dhe 160 të infektuarve në ditë.
Dhe e gjitha kjo e ka një shpjegim. Ajo ka të bëjë më mënyrën skandaloze se si u organizua tek ne edhe karantina ekstreme edhe hapja graduale. Përpos eksperimenteve cinike të orareve se kur duhet të dilnin nga shtëpite pensionistët dhe kur nënat me fëmijë, përpos perversitetit të videove me kufoma dhe me “dhunën” e policisë spanjolle, qeveria nuk mori asnjë masë të themeltë për tu përgatitur për ditën që do të vinte pas.
Gjithçka u la në dorë të fatit duke ëndërruar se do të ndihmoheshim nga përdorimi me shumicë e citateve të biblës dhe kuranit, pa shtuar numrin e testimeve, pa paisur me mjete të sofistikuara mbrojtëse të gjithë personelin shëndetësor (jo vetëm infektivin) aq sa QSTU u bë vatra e shpërndarjes së virusit, pa siguaruar së paku maska për vendet e punësimit masiv, si fasoneritë.
Edhe fakti që buxheti i rrënuar dhe paratë e shpenzuara tjetërkund e bënë Shqipërinë vendin me ndihmën direkte me minimale në rajon (0.8% të GDP) i shtyu njerëzit e izoluar dhe të varfëruar të dilnin si të ndërkryer nga izolimi për të rikuperuar paratë dhe kohën e humbur.
E gjithë kjo papërgjegjshmëri ka pjellë situatën ku ndodhemi sot dhe parashikimet edhe më pesimiste që po bëhen për të ardhmen.
Tani askush nuk është në gjendje të kuptojë se përse na karantinuan papritmas nëpër shtëpi, kur nuk kishte asnjë të vdekur dhe nuk marrin asnjë masë tani kur ka nga 2-3-4 viktima çdo ditë. Gjithsejcili e ka të pamundur të shpjegojë, se përse i ndalonin përmes thirrjeve në Facebook, burrë dhe grua të hypnin në të njëjtën makinë, në kohën kur shpallin vetëm 20 të infektuar, dhe hapën transportin publik në ditët që ka mbi 100 të tillë.
Për ç’do kënd përbën një absurditet se si atherë policia shembte në dru një të ri që kalonte me 5 minuta orën e shtetrrethimit, ndërsa sot lë me qindra të tillë dehin me alkol dhe virusin në diskot e jugut, në fundjava.
Pikërisht kjo politikë delirante dhe këto vendimarrje të përçarta, po bëjnë që ndryshe nga të gjitha vendet e Europës perendimore ne ta përjetojmë pikun e pandemisë, pasi piku i izolimit ka kaluar. Dhe kjo është në fakt edhe arsyeja reale, përtej teorive komplotiste, që BE po na i mban kufijtë të izoluar. Të dhënat e tyre iu tregojnë se ne jemi më keq sesa kur ishte vërtetë keq. Dhe ky izolim i ri, këtë herë jo brenda shtëpive, por brenda vendit tonë është dëshmia më ulëritëse që diskrediton pallavrat me histori suksesi.
Pas kësaj le të vazhdojnë të broçkullisin, se falë kësaj qeverie jemi dhe më mirë se Italia dhe Gjermania që po na i mbajnë dyert të mbyllura. (Lapsi.al)