McMaster: Rusia synon të ndërhyjë në zgjedhjet e Meksikës

Prishtinë | 08 Jan 2018 | 09:14 | Nga

Këshilltari për siguri kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, H.R. McMaster, ka thënë se Kremlini ka nisur një fushatë të përsosur për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale në Meksikë.

Në një video të siguruar nga gazeta meksikane Reforma, McMaster i ka dhënë këto komente në Fondacionin Jamestown në Uashington.

Më 15 dhjetor të vitit të kaluar, McMaster ka thënë se ka të dhëna për ndërhyrje ruse në zgjedhjet e Meksikës.

“Kemi parë se kjo është një përpjekje e përsosur për të ndarë shoqëritë demokratike dhe për t’i shtyrë komunitetet kundër njëra-tjetrës”, ka thënë ai.

“Keni parë tashmë, shenja të kësaj çështje në fushtatën për zgjedhjet presidenciale në Meksikë”, ka thënë McMaster pa përmendur ndonjë lloj specifik të ndërhyrjes.

Ai ka shtuar se qeveria amerikane ishte e shqetësuar nga përdorimi i mjeteve kibernetike nga ana e Kremlinit për të nxitur propagandën dhe dezinformimin.

Agjencitë e Inteligjencës amerikane kanë ardhur në përfundim se Rusia ka tentuar të ndërhyjë në zgjdhjet presidenciale më 2016 në Shtetet e Bashkuara, në të mirë të republikanit Donald Trump dhe dëmtimit të imazhit të rivales së tij demokrates, Hillary Clinton.

Kremlini i ka hedhur poshtë disa herë këto akuza.

Meksikanët do të votojnë në muajin korrik në zgjedhjet presidenciale.

Enrique Pena Nieto, nuk ka të drejtë kandidimi për shkak të kufizimeve kohore.

Sondazhet tregojnë se kandidati majtist, Andres Manuel Lopez Obrador, që po kandidon me një platformë kundërkorrupsionit dhe ka qenë udhëheqës i Meksiko Sitit, ka mundësi për të fituar presidencën.

Disa ekspertë kanë thënë se Lopez Obrador është i preferuar edhe nga Kremlini dhe ka pasur mbulim pozitiv në mediat shtetërore ruse.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme